Pyetja:

A është e lejueshme të hahet mishi nëpër restorante, nëse nuk dihet a është
përmendur emri i Allahut gjatë therjes?

Përgjigjja:

Shejh Ibn Baz ka thënë:
“Nëse këto restorante janë në një vend ku therja e mishit bëhet nga muslimanët apo
nga ithtarët e Librit [çifutët dhe të krishterët], apo pronarët e restorantit kujdesen
vetë për therjen dhe janë muslimanë apo ithtarë të Librit, atëherë lejohet të hahet aty,
edhe nëse nuk e dimë se a është përmendur emri i Allahut gjatë therjes. Sepse parimi
bazë është se mishi i tyre është i lejueshëm.  Është transmetuar nga Aisha se disa njerëz thanë: “O i Dërguar i Allahut, disa njerëz na sjellin mish dhe nuk e dimë nëse e kanë
përmendur Allahun gjatë therjes, apo jo?”. I Dërguari ﷺ ka thënë : “Përmendëni emrin e Allahut dhe hani.” [1]

Por, nëse për therjen e mishit përkujdesen të tjerë njerëz veç muslimanëve apo
ithtarëve të Librit, si ateistët dhe hindusët, atëherë s’është e lejueshme të hahet.
Duhet të theksohet se mishi i therur nga një musliman, nga një çifut a nga një i
krishterë është i lejueshëm, nëse theret në mënyrën e ligjësuar nga sheriati apo nëse
nuk e dimë se si është therur. Por, nëse e dimë që është therur në tjetër mënyrë veç
asaj sheriatike, si nëpërmjet mbytjes, me elektroshok, etj., atëherë ai është mish i
vdekur (mejteh) dhe është haram ta hash, pavarësisht se ai që e ther është musliman
apo kafir, sepse Allahu thotë: Ju janë ndaluar (për ngrënie): kafshët e vdekura, gjaku, mishi i derrit, atë që është therur si kurban për të tjerë veç Allahut dhe atë që është vrarë me mbytje, me goditje, me rënie, me shpim të brirëve si dhe atë që pjesërisht është ngrënë nga një kafshë e egër, përveç nëse e therni (para së të ngordhë).” (Maideh, 3)

(Fetaua Islamije, 3/414).

Shejh Ibn Uthejmin ka thënë: “Një nga skenarët në vijim duhet të zbatohet në rastin e këtij mishi:

1. E dimë që është therur në mënyrën e duhur. Ky mish është hallall.
2. E dimë që nuk është therur në mënyrën e duhur. Ky mish është haram.
3. Nuk jemi të sigurt, nuk e dimë nëse është therur në mënyrën e duhur, apo jo.
Vendimi në këtë rast është se mishi është hallall dhe nuk kemi nevojë të pyesim
për mënyrën si është vrarë, apo nëse është përmendur emri i Allahut në të, apo
jo.
Por, siç mund të shihet nga Suneti, është më mirë të mos pyesim apo të hetojmë
për këtë. Prej këtu, kur ata i thanë pejgamberit [salallahu alejhi ue selam]:”… nuk
e dimë nëse e kanë përmendur Allahun gjatë therjes, apo jo”, ai tha:”Përmendeni
emrin e Allahut dhe hani”.
Kjo përmendje e Allahut [tesmije], për të cilën pejgamberi u tha ta përmendnin,
s’është tesmije e therjes, sepse therja është kryer, por kjo është tesmije e ngrënies.
Sepse ajo që është urdhëruar për personin, është që ta përmendë emrin e Allahut
kur të hajë.
Opinioni i saktë lidhur me përmendjen e Allahut kur të hamë, është se kjo është
obligim, sepse i Dërguari i Allahut [salallahu alejhi ue selam] ka urdhëruar për
këtë dhe për shkak se, nëse personi nuk e përmend Allahun, shejtani e ndan me
të ushqimin dhe pijen e tij.
Nëse personi do që të jetë i kujdesshëm dhe ta lë këtë mish, në këtë s’ka gjë të
keqe, por, po ashtu, s’ka gjë të keqe ta hajë atë.

(Fetaua Islamije, 3/415)

——————-

[1] Buhariu [2057]