Pyetja:
Unë kam disa probleme që më shqetësojnë tash e një vit: 1. disa herë gjatë ditës më shfaqen disa pamje të cilat nuk ekzistojnë fare (një lloj halucinacioni pamor) dhe për disa sekonda nuk mund të përqendrohem dhe të jem në realitet (p.sh. jam duke ecur shkallëve dhe nganjëherë më duket që u rrëzova dhe u gjakosa e tëra e kësi pamjesh të ndryshme); 2. një herë në ditë më shfaqet një nervozë tejet e madhe, saqë nëse nuk përmbahem, më vjen të rrënoj çdo gjë që kam përreth, e cila vërtet më brengos shumë dhe nuk e di se nga më vjen sepse nuk kam asnjë arsye të jem nervoz e aq më pak deri në atë masë; 3. kur jam duke biseduar me njerëz, më humb përqendrimi dhe për një sekondë nuk jam në gjendje as të vazhdoj bisedën, 4. gjatë kohës së faljes së namazit flas fjalë të cilat nuk kanë të bëjnë fare me namazin dhe nuk e di se nga më vijnë, të cilat më preokupojnë jashtë mase dhe kanë filluar të më largojnë nga namazi që është diçka dëshpëruese se para një viti unë kam falur të 5 vaktet e shumë probleme të tjera të natyrës së tillë. Ju lutem nga zemra të më ndihmoni dhe të më tregoni se a duhet të shkoj te një hoxhë (mos është ndonjë sihr) apo te një psikolog që të konsultohem për problemin tim. Desha dhe të cek se më herët kam qenë shumë mirë, nuk kam pasur probleme me veten time.
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Ju urojmë tejkalim sa më të shpejtë të problemeve për të cilat na shkruani. Nga ajo që lexuam në pyetjen tuaj, ne do t`ju këshillonim që të bëni vizitë edhe te mjeku edhe te ndonjë hoxhë që shëron me Kuran dhe lutje profetike. Problemet me të cilat ballafaqoheni mund të jenë të natyrës organike, por mund të jetë edhe magji apo mësysh. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi