Pyetja:

Njëri prej emrave të Allahut është En-Nur, që në shqip përkthehet dritë. A lejohet t’i vuret fëmijës emri Drita?

***

Përgjigjja:

Allahu i Madhërishëm e ka cilësuar veten në Kuran se është dritë e qiejve dhe tokës. I Lartmadhërishmi ka thënë: “Allahu është dritë (ndriçues, udhëzues) i qiejve e i tokës. Shembulli i dritës së Tij i gjason kandilit të vendosur në një zgavër të errët. Kandili gjendet brenda një qelqi si të ishte yll flakërus e që ndizet prej (vajit të) një druri të bekuar, prej ullirit që nuk mund të quhet as i lidjes e as i perëndimit, e vaji i tij ndriçon pothuajse edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë. Allahu udhëzon kah drita e Vet atë që do Ai. Allahu sjell shembuj për njerëzit. Allahu çdo gjë di shumë mirë.” (Nur: 35)

Ibn Kethiri, përkitazi me komentin e këtij ajeti, ka shënuar si vijon: ”Ali ibn Ebi Talha transmenton se Ibn Abasi përkitazi me fjalët e të Lartmadhërishmit: “Allahu është dritë (ndiçues, udhëzues) i qiejve e i tokës…), ka komentuar: Allahu është udhëzues i qiejve dhe tokës. Nga ana tjetër, Ibn Xhurejxhi ka transmentuar se Muxhahidi dhe Ibn Abasi përkitazi me fjalët e të Lartmadhërishmit: “Allahu është dritë (ndiçues, udhëzues) i qiejve e i tokës…), kanë komentuar: D.m.th. Allahu i dirigjon të gjitha gjërat që janë në to, si: yjet, diellin, hënën, etj.

Sujuti përkitazi me fjalët e të Lartmadhërishmit: “Allahu është dritë” (ndiçues, udhëzues) i qiejve e i tokës…), ka thënë: “Me dritën e Allahut janë ndriçuar qiejt dhe toka.”

Transmetohet prej Ibn Abasit, Allahu qoftë i kënaqur me të dhe me prindin e tij, se ka thënë: I Dërguari i Allahut ﷺ kur është ngritur gjatë natës, është lutur me lutjen vijuese: ”O Allah, vetëm Ty të takon lavdërimi i plotë, Ti i mban qiejt, tokën dhe çdo gjë që ka në to; vetëm Ty të takon lavdërimi i plotë, Ti je dritë e qiejve, tokës dhe çdo gjëje që ka në to…” [1]

Nga komenti shihet se Allahu i Madhërishëm e ka cilësuar veten në këtë mënyrë. Kjo do të thotë se drita është cilësi e Allahut të Madhërishëm. Por, ka dallim në mes emrave dhe cilësive të Allahut të Madhërishëm. Jo çdo cilësi ka derivuar emër me të cilin emërohet Allahu i Madhërishëm.

Për atë, nur-dritë është cilësi, e nuk është emër i Allahut të Madhërishëm. Së këtejmi, nuk ka pengesë që ndonjë femër ta ketë emrin Drita. Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

————————-

[1] Buhariu dhe Muslimi