Pyetja:

A kam të drejtë t’ia imponoj mbulesën gruas sime? Dhe a kam të drejtë ta shkurorizojë nëse nuk e vë ajo mbulesen?

***

Përgjigjja:

Së pari, më duhet të theksoj se problemet u vijnë muslimanëve kur nuk u përmbahen rregullave islame dhe porosive të Allahut të Madhërishëm dhe të Pejgamberit ﷺ. Në këtë kontekst duhet përmendur edhe problemet bashkëshortore për shkak moszbatimit të urdhrave islame. Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ na ka porositur që për martesë ta zgjedhim atë femër, apo femra ta zgjedh atë djalë i cili është më i përpiktë në fe, ashtu që më pas mos të ketë probleme. Për atë, martesa jo në këtë bazë, ka bërë që tash edhe tek ju, si dhe te shumë tjerë të lind problemi i këtillë.

Kur është në pyetje mbulesa, është e ditur se mbulesa është farz për femrën, dhe çdo femër muslimane duhet të mbulohet. Këtë e kemi sqaruar edhe në disa pyetje tjera, dhe besoj se nuk ka nevojë ta stërzgjatim sqarimin duke sjellur ajete dhe hadithe për çështjen në fjalë, ngase do të kishim përsëritur atë e kemi përmendur në shumë përgjigje tjera, e nëse ju gjurmoni në këtë rubrikë, do të gjeni pyetje që kanë të bëjnë me mbulesën ku përmenden edhe argumente të mjaftueshme.

Por, themi shkurtë dhe qartë se mbulesa është farz dhe femra muslimane e ka obligim nga ana e Allahut të Madhërishëm që të mbulohet. Ajo femër e cila nuk mbulohet, duhet ta dijë se e ka shkelur një urdhër të Allahut të Madhërishëm, dhe kjo duhet ta shqetësojë tej mase atë femër e cila ka iman, ngase nuk është lehtë t’ia kthesh shpinën urdhrit të Allahut. Sjellja e këtillë do të shkaktojë pasoja të natyrave të ndryshme si në këtë botë, ashtu edhe në botë tjetër. Ja se çka thotë i Lartmadhërishmi në një ajet për ata që ia kthejnë shpinën urdhrit të Tij: ’’E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjallim të verbër. Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?” Ai (Allahu) thotë: “Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu je i harruar sot.’’ (Ta Ha: 124126)

Poashtu, edhe burri, po edhe çdo musliman, duhet të jetë këshillues për të mirë dhe ndalues nga e keqja, e së pari, normalisht, ky mision duhet të fillojë nga shtëpia, gjegjësisht familja. Burri duhet të jetë i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm për familjen e vetë. Ai duhet ta këshillojë edhe gruan edhe fëmijët që të jenë zbatues të denjë të rregullave fetare. Nga ana tjetër, gruaja dhe fëmijët duhet ta kuptojnë këtë si përgjegjësi të bashkëshortit dhe prindit dhe se ai këtë e bën nga dashuria dhe kujdesi ndaj tyre, e jo nga armiqësia apo nga dëshira për të bërë presion dhe shtypje. Kjo, me qëllim që mos kuptohen gabimisht këshillat dhe porositë e bashkëshortit dhe prindit, gjë që ndodh shpesh herë dhe bëhet shkak që të prishen marrëdhëniet brenda familjes mes prindit dhe fëmijëve, apo bashkëshortit dhe bashkëshortes.

Në këtë drejtim, duhet të shihet edhe urdhri i burrit për gruan që ta vendojë mbulesën. Gruaja duhet ta kuptojë këtë si interes dhe përkushtim i burrit ndaj saj, e jo shtypje dhe dhunë, ngase mbulesa është urdhër i Allahut dhe mbrojtje nga mëkatet. Mirëpo, ndodh që gruaja nuk përgjigjet në këtë urdhër. Atëherë, parashtrohet pyetja: Çka duhet të bëjë burri?

Së pari, duhet të pastrohet dilema se pse gruaja nuk e ven mbulesën. Pse e mohon mbulesën si urdhër të Allahut, dhe e zënë se nuk është kurrgjë? Apo, beson se është urdhër i Allahut, por ja nga neglizhenca apo jo vendosmëria nuk e ven?

Në rast se e mohon mbulesën, duhet të mësohet dhe t’i tregohet se është urdhër i Allahut. E nëse edhe pas kësaj e mohon, atëherë ajo ka dalur prej fesë, dhe normalisht pason edhe shkurorëzimi.

Por, nëse e pranon si urdhër fetar, por nuk e ven nga mashtrimi pas kësaj bote, atëherë burri duhet të punojë me të, ta mësojë, t’i jep literaturë fetare, ligjërata, etj., ku tregohet rëndësia e mbulesës në Islam. Ai duhet ta urdhërojë gruan e vet që të mbulohet, dhe t’ia bëjë me dije se ai nuk është i kënaqur dhe nuk pajtohet që ajo të ec pa mbulesë. Gruaja, nga ana tjetër, duhet t’i bindet burrit, se ky është urdhër që rrjedh prej fesë, e jo se burrit i është kujtuar kështu.

Përdorimi i dhunës nuk është mekanizëm për zgjidhjen e problemit në fjalë, ngase gruaja edhe nëse e ven mbulesën nga frika e burrit, e urren atë në brendi. Por, ajo këtë duhet ta bëjë me bindje dhe vullnet të vet, pa dhunë, sepse dhuna nuk lejohet, por obligohemi me urdhërim në të mirë dhe ndalim nga e keqja. Nëse gruaja e ven mbulesën pa bindje, pas një kohe mund ta hek përsëri, e mund edhe ta keqpërdor duke bërë sjellje të pahijshme që të bjer në sy se është me mbulesë, e me këtë të ketë për qëllim ta komprometojë mbulesën. Po ndodh edhe ajo që të flet kundër mbulesës, edhe pse vetë mund ta mban nga presioni, dhe kjo të ketë kundër efekt. Për atë, çështjes duhet t’i qasemi më me përgjegjësi dhe të shihet më larg.

Nëse kërkohet përgjigje thjesht nga aspekti juridik, themi: Po, burri ka të drejtë ta lëshon gruan, nëse ajo nuk e ven mbulesën, ngase konsiderohet shkelëse e urdhrit të Allahut, dhe e padëgjueshme ndaj burrit. Kjo është përgjigje që vihet në kontekst juridik.

Mirëpo, në kohën tonë, duhet të jemi më të kujdesshëm në këtë çështje. Nuk është mirë që burri të mendojë menjëherë në ndarje nga gruaja, ngase kjo do t’i shkaktojë kokëçarje të shumta. Duhet të kihet parasysh se shkurorëzimi nuk pëlqehet në Islam, edhe pse është i lejuar në rast se nuk mund të vazhdojë jeta bashkëshortore. Do të prishen marrëdhëniet mes familjeve, e mund të vijë puna deri atje që të ketë konflikt e të pësojnë fëmijët. Nga ana tjetër, kjo mund të jetë shkak që gruaja dhe familja e saj, edhe më tepër të largohen prej Islamit dhe ta urrejnë edhe më tepër mbulesën dhe fenë në përgjithësi, sepse ky problem, sipas tyre, u ka lindur për shkak mbulesës. Atëherë, pyetja është: Çka fituam nga ndarja, a thua gruaja e vuri mbulesën, dhe a e arritëm qëllimin? Përgjigja është: Jo, nuk u arrit diçka e tillë.

Për këtë, marrë parasysh rrethanat e kohës në të cilën jetojmë, më mirë do të ishte që burri të vazhdojë të punojë me gruan e tij në këtë drejtim, ta mësojë dhe ta këshillojë vazhdimisht, të jetë i sjellshëm dhe fisnik, ashtu që ajo të bindet dhe nga sjellja e tij ta kuptojë se gabon. Çdo herë duhet të lutet që Allahu i Madhërishëm ta udhëzojë gruan e tij. Ku ta dish, pas një kohe, ajo mund të pendohet dhe të kthehet në mbulesë, e me këtë, burri ka bërë një punë të madhe. A nuk është kjo më mirë se sa të mendojë menjëherë për ndarje?! Besoj se çdo një do ta përkrah këtë qasje.

Një veprim i përshpejtuar, mund të sjell probleme të mëdha, bile edhe të pariparueshme, e veprimet e matura, hapin derë të hajrit.

Unë plotësisht e kuptoj përkushtimin e pyetësit për zbatimin e parimeve fetare dhe shqetësimin e tij që gruaja nuk i mban mbulesë, dhe në fakt, ashtu duhet të jetë çdo musliman, e jo t’i duket ky veprim i gruas normal, apo mos shqetësohet aspak. Mirëpo, ky duhet të vazhdojë të bëjë xhihad intelektual me gruan e vet, me qëllim që përfundimi të jetë fatlum për të dy, e jo të mendojë në ndarje, që vetëm se do t’i shtonte edhe më tepër problemet e nuk do t’i zgjidhte. Allahu e di më së miri.

Bashkim Aliu