Pyetja:
Kush ishte Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!)?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Ebu Bekri: Lindi në vitin 51 para-hixhrik / 573 diellor dhe ndërroi jetë në vitin 13 hixhrik / 634 diellor; bën pjesë tek “Shtresa Nr. 1” e transmetuesve të Islamit dhe prej tij janë transmetuar 142 hadithe (transmetime profetike).
Emri i tij është (عَبْدُ اللَّهِ بن أبي قُحَافَة عُثْمَانَ بْنِ عَامِرِ) Abullah Ibn Ebi Kuhafe Uthman Ibn Amir, Ebu Bekër Es-Siddiku (dëshmitari dhe pasuesi i të vërtetës), prej Kurejshëve, me epitetin EL-ǍTIJǨ (i çliruari nga zjarri/fytyrëbukuri). Ai është sahabiu (shoku) i shquar i të Dërguarit të Allahut ﷺ që ishte më i miri prej sahabëve (shokëve të Profetit ﷺ), të cilët ishin njerëzit më të mirë pas profetëve të Zotit, është i pari burrë që besoi tek profeti Muhamed ﷺ, është burri të cilin ai i bekuar ﷺ e deshi më së shumti, është shoku i tij (ﷺ) në shpellë dhe tërë rrugën e emigrimit profetik, është një prej dhjetë të përgëzuarve me xhenet, si dhe është pasuesi i të Dërguarit të Allahut, Muhamedit ﷺ si kalifi (kryeqeveritari) i parë ndër katër Kalifët e Drejtë të Udhëzuar.
Ebu Bekri ishte i bardhë, i pashëm, i gjatë dhe vinte i dobët. Ai ishte prej njerëzve të mëdhenj ndër arabët, që u lind në Mekë dhe u rrit po aty si një prej krerëve të Kurejshëve, të kamurve të tyre, dijetar i gjenealogjisë, rrëfimeve dhe politikave të tyre, ndaj dhe arabët e quanin atë dijetari i Kurejshëve. Ebu Bekri ia kish ndaluar vetes alkoolin (nuk e kishte pirë atë) që në kohën para-islame.
Ebu Bekri njihet për qëndrimet e tij madhështore gjatë epokës profetike, sesi ai, në Rrugë të Allahut të Madhëruar, i dëshmoi betejat që u zhvilluan, u bëri ballë vështirësive të hasura, e shpenzoi pasurinë e tij dhe mbështeti fuqishëm pandarë mesazhin profetik.
Besëlidhja e Ebu Bekrit si kalif (kryeqeveritar) u bë në ditën kur ndërroi jetë profeti Muhamed ﷺ, pra në vitin 11 hixhrik, ditë ku spikati me të madhe qëndresa dhe elokuenca e Ebu Bekrit, qetësimi që u bëri njerëzve dhe mbarëvajtja e çështjes së besëlidhjes për kryeqeveritarin musliman, në dobi të mbarë muslimanëve. Ebu Bekri i luftoi ashpër dezertorët dhe këdo që refuzoi të jepte zekatin10. Në kohën e udhëheqjes së Ebu Bekrit u çliruan territoret e Shamit11 dhe një pjesë e madhe e Irakut. Ai gëzoi konsensusin e komandantëve të mëdhenj muslimanë si: Khalid Ibn Uelidi, Amër Ibn El-A’si, Ebu Ubejde Ibn El-Xherrahu, El-A’le Ibn El-Hadrami, Jezid Ibn Ebi Sufjan dhe El-Muthane Ibn Harithe (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata!). Ebu Bekri shquhej për maturinë dhe butësinë që tregonte me popullin. Tek ai spikatnin ligjërimi elokuent dhe guximi heroik. Në fundin e jetës së tij ai porositi fuqishëm që të pasohej prej Umer Ibn El-Khatabit, duke ndikuar kështu në shtrirjen dhe fuqizimin e madh të fesë Islame që do ndodhte nën kryeqeverisjen e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata!). Koha e qeverisjes së Ebu Bekrit zgjati rreth dy vjet e tre muaj. Ai ndërroi jetë në qytetin e Medines.
Allahu qoftë i kënaqur me Ebu Bekrin!
Allahu e di më mirë.
Alaudin Abazi