Pyetja:
A duhet të jemi me abdes dhe gusël kur e bëjmë dhikrin e mëngjesit apo të mbrëmjes?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Në lidhje me raportin e abdesit dhe guslit me dhikrin në përgjithësi, përfshirë edhe atë të mëngjesit dhe mbrëmjes, duhet të kemi paraysh sa vijon:
Së pari: Për dhikrin që nuk përmban Kuran, nuk është kusht as abdesi dhe as gusli:
Kur në dhikrin që bëhet nuk ka ajete kuranore, nuk është problem që personi të jetë pa abdes ose pa gusël.
Së dyti: Për dhikrin që përmban Kuran, nuk është kusht abdesi por gusli po:
Kur dhikri që lexohet përmban ajete kuranore, abdesi nuk është kusht. Kurse xhunubit, sipas pjesës dërrmuese të juristëve muslimanë (përfshirë katër medh’hebet), nuk i lejohet leximi i Kuranit, qoftë edhe përmendësh (pa e prekur Mus’hafin).
Shënim:
Kuran konsiderohet vetëm teksti origjinal në arabisht i Kuranit, kurse komentimi i Kuranit në të gjithë gjuhët (përfshirë edhe arabishten) nuk ka problem të lexohet (apo preket) pa abdes a pa gusël.
Allahu e di më mirë.
Dr. Bashkim Aliu