Domethënia e fjalës “Dynja” dhe realiteti i saj
Fjala “Dynja” e ka origjinën te gjuha arabe “Ed-Dun’ja” dhe do te thotë: diçka e ulët në grada.
Kjo fjalë në librin e Allahut përdoret për të treguar për jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj përballë jetës së botës tjetër të Ahiretit dhe përfshin çdo gjë, ose të domosdoshme për të jetuar, ose të qejfit.
Ato të domosdoshmet janë ato jetësoret si: ushqimi, veshja, streha, siguria etj.
Ndërsa ato të qejfit janë si: gratë, fëmijët, pasuritë, postet, fama etj.
Urtësia e Allahut ka bërë që kjo e dyta t’u zbukurohet njerëzve siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran: “U janë zbukuruar njerëzve dashuria për gjërat e qejfit si: gratë, fëmijët, sasitë e mëdha të floririt dhe sermit, kuajt balashë, bagëtitë dhe të mbjellat. Ato janë kënaqësia e Dynjasë dhe tek Allahu ka shpërblim më të mirë se ato”(Surja Ali Imran: 14)
▫️Për këto ka thënë Profeti -alejhi selam-:
“Dynjaja është e ëmbël dhe e bukur dhe Allahu ka për t’jua dhënë atë për të parë se si do të punoni. Prandaj ruajuni Dynjasë!” (transmeton Muslimi)
Përshkrimi i saj me fjalën “E ëmbël” ka lidhje me shijen që të lë kur e provon, ndërsa përshkrimi i saj me fjalën “E bukur” ka lidhje me pamjen kur e sheh dhe të mahnit.
Zbukurimi i Dynjasë e ka kthyer atë në sprovë dhe kështu njeriu e ka të vështirë të shpëtojë prej sprovës së saj, vetëm nëse do të ruaj një farë raporti në lidhje me të dhe ai raport me të sipas mësimeve profetike është:
1. Të marrë prej saj atë që është hallall dhe ta fitojë atë hallall, sepse për të ka llogari në botën tjetër.
2. Të marrë prej saj aq sa i duhet dhe të mos e teprojë, sepse njeriu në ketë botë është udhëtar dhe nëse do të jepet totalisht pas saj do të mbesë bosh në botën tjetër.
3. Ta përdorë atë për të fituar Ahiretin (botën tjetër).
Dr. Abdullah Nabolli