Llogaria është e vërtetë; ajo është një llogari e përgjithshme. Kush është Zoti yt? Cila është feja jote? Dhe cili është njeriu që është dërguar tek ne si i dërguar? Këto janë tri pyetjet bazë. Përgjigja jonë është se Zoti ynë është Allahu, feja jonë është Islami, dhe njeriu që është dërguar tek ne është Muhamedi, i dërguari i Zotit (salallahu alejhi ue selem).
Llogaria ditën e Kiametit është e detajuar nga Allahu i Madhëruar në shumë ajete kuranore. Ajo na tregon se çdo gjë që bën njeriu në këtë dynja do ta shohë përpara. Ai i cili punon sa një thërmi, sa një kokërr gruri – madje edhe më pak se aq – do ta shohë të mirën e saj. Po ashtu, edhe veprën më të vogël të sherrit, sado e vogël qoftë, njeriu do ta shohë ditën e Kiametit.
Çfarë ndodh pas daljes nga varret?
Pas daljes së njerëzve prej varreve, ata kapen nga dy melekë – njëri para dhe tjetri mbrapa – të cilët i çojnë në vendin e caktuar. Më pas shpërndahen librat me veprat që ka punuar njeriu, dhe secili e lexon vetë librin e tij para se t’i bëhet llogaria. Kjo llogari e detajuar bëhet në mënyrë që, kur të vijë dënimi (Allahu na ruajtë!), askush të mos ketë as arsyen më të vogël për të thënë: “O Zot, po unë nuk kam qenë kaq i keq”.
Shpërblimi dhe Dënimi në Varr
Kur Allahu na tregon se ka shpërblim qysh në varr, Ai dëshmon se vepra e mirë ka çmim dhe se Ai e shpërblen robin e Tij ende pa u ringjallur. Ringjallja mund të vonojë me vite për dikë, por shpërblimi i vërtetë i punëve të mira shfaqet që në agoninë e vdekjes.
- Për besimtarët dhe njerëzit e mirë: Melekët vijnë me fytyra të ndriçuara. Njeriu pushon, qetësohet dhe ndjehet rehat.
- Për të tjerët: Melekët vijnë me fytyra të zeza, trishtuese dhe frikësuese, pasi aty fillon dënimi.
A nuk e ka dëgjuar njeriu Librin e Zotit dhe Pejgamberin e Zotit duke thënë se varri është ose një kopsht prej kopshteve të Xhenetit, ose një gropë prej gropave të Xhehenemit? Ka shpërblim, ka dënim dhe ka llogari që në varr.




