Pyetja:

“Kam arritur të bind një pjesëtare të familjes që t’i fillojë namazit, por thonjtë e lyer apo të ngjitur artificialë po shërbejnë si pengesë apo demotivim për të, meqë duhet t’i heqë gjatë marrjes së abdesit. A mund të na jepni një këshillë se si t’i qasemi dhe ta menaxhojmë këtë situatë, duke parasysh se imani i saj është ende i dobët dhe nuk është forcuar ende në udhëzim?”

​Përgjigjja:

Është e vërtetë se gjatë marrjes së abdesit, të gjitha pjesët që duhet të lahen duhet të jenë të lira nga yndyrat apo çfarëdo lënde tjetër që pengon arritjen dhe depërtimin e ujit. Në këtë rast, si llaku i thonjve, ashtu edhe thonjtë artificialë e pengojnë ujin të depërtojë te thoi dhe përreth tij.

​Çfarë duhet të bëjmë me këta persona?

Së pari, elhamdulilah që ajo ka filluar të falet, sepse ky është hapi më i rëndësishëm. Ashtu siç dëgjoi për ta filluar namazin, me kalimin e kohës do të dëgjojë edhe për heqjen e thonjve artificialë, sepse ata përbëjnë një problem tjetër që bie ndesh me rregullat e fesë lidhur me zbukurimin e ndaluar. Megjithatë, nuk duhet t’i bëhet presion që në fillim.

​Si zgjidhje të përkohshme mund të sugjerohen këto opsione:

  1. ​Përdorimi i thonjve që ngjiten dhe hiqen lehtë: Ajo mund të marrë abdes dhe gjatë kohës që mban atë abdes (për shembull për të falur dy apo tri kohë namazi), mund t’i vendosë e t’i heqë me lehtësi.
  2. ​Përdorimi i tyre në periudhat kur nuk falet: Për shembull, gjatë kohës së ciklit menstrual kur është e liruar nga namazi.
  3. ​Nëse nuk pranon absolutisht t’i heqë thonjtë apo llakun, por gjithsesi dëshiron të falet: Lëreni të falet ashtu siç është. Pasi ajo gjithsesi nuk po i heq thonjtë apo llakun, nëse i themi “mos u fal kështu”, rrezikojmë që ajo të mos falet fare. Është më mirë të vazhdojë faljen, ndërsa ne vazhdojmë ta këshillojmë gradualisht dhe t’i ofrojmë opsione të tjera.

​Gjithsesi, synimi kryesor mbetet këshillimi me durim që të mënjanohet llaku dhe thonjtë artificialë, veçanërisht në kohën e namazit, duke bërë sabër me të hap pas hapi.

Hoxhë Dr. Rasim Haxha

Dëgjoje me video👇