Cila është dispozita e të fryrit (rukjes)[1]? Cila është dispozita e shkrimit të ajeteve dhe lidhjes së tyre në qafën e të sëmurit?
Përgjigje: Të fryrit me Kur’an ose me lutjet e lejuara për të sëmurin që e ka goditur sihri (magjia) ose ndonjë sëmundje tjetër, është e lejuar dhe nuk ka gjë të keqe.
Nga Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, transmetohet se u ka bërë rukje shokëve të tij; prej gjërave me të cilën u ka bërë, është edhe kjo lutje: “O Zoti ynë, All-llah, që je në Qiell, i Shenjtë është emri Yt, Ti urdhëron në Qiell dhe në Tokë. Ashtu si është mëshira jote në Qiell bëje edhe në Tokë, zbrit një mëshirë prej Mëshirës Tënde dhe një shërim prej Shërimit Tënd për këtë sëmundje”[2], dhe u shëndoshte. Po ashtu prej lutjeve është edhe kjo: “Në emër të All-llahut të bëj rukje nga çdo sëmundje që të mundon dhe nga çdo shpirt dhe sy që të ka zili, All-llahu të shëron, në emër të All-llahut të bëj rukje”[3].
Prej metodave është edhe vënia e dorës te vendi ku dhemb dhe të thuhet kjo lutje: “Kërkoj mbrojtje nga All-llahu dhe Krenaria e Tij nga e keqja të cilën e kam dhe që i frikësohem”[4], si dhe lutje të tjera që i kanë përmendur dijetarët prej transmetimeve të Resulull-llahut, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem.
E sa i përket shkrimit dhe lidhjes së tyre, për këtë ka dy mendime, disa e lejojnë e të tjerët e ndalojnë, më afër të vërtetës është ndalimi i saj, sepse kjo gjë nuk ka ngjarë në jetën e Resulull-llahut, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, por ai praktikonte leximin për të sëmurin.
Edhe një herë, sa i përket lidhjes së ajeteve dhe lutjeve në qafë të të sëmurit, në dorë, ndër jastëk apo dikund tjetër, kjo është prej gjërave të ndaluara, sipas më të vërtetës, sepse nuk është praktikuar gjatë jetës së Resulull-llahut, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, diçka e tillë.
Secili që thotë për diçka se është shkak i diçkaje dhe të njëjtën gjë All-llahu nuk e ka quajtur shkak për të; kjo punë e tij është një lloj shirku, sepse ai thotë për diçka se është sebep, për të cilën nuk ka thënë All-llahu, azze ue xhel-le.
Burimi: albislam.com
Muhamed ibën Salih el Uthejmin
[1] Leximit të Kur’anit ose lutjeve të ndryshme për largimin e sëmundjes. (sh.p)
[2] Transmeton Ebu Davudi (3982)
[3] Transmeton Muslimi (2186)
[4] Transmeton Muslimi (2202)