Pyetje: Cili është gjykimi mbi pendimin e atij që pendohet nga një gjynah, pastaj kthehet prapë në atë gjynah disa herë, pastaj pendohet gjithashtu për këto gjynahe disa herë. Pas kësaj, e begatoi Allahu me një pendim të sinqertë dhe nuk iu kthye më këtij gjynahu. Na këshilloni, Allahu ju dhëntë sukses!
Shejkh El-Uthejmin: Pendimi i këtij gjynahqari është i saktë, pendimet e para dhe pendimet e fundit të gjitha janë të sakta. Sepse çdo herë që ai bën një gjynah dhe pastaj pendohet tek Allahu nga ai (gjynah), duke i plotësuar kushtet e pendimit në të drejtën e tij, Allahu e pranon pendimin e tij.
Nëse nefsi i tij e thërret përsëri (dhe e mund atë) saqë ai bie në gjynah, le të pendohet për herë të dytë, të tretë, të katërt, për shkak të Fjalës së Allahut të Lartësuar:
قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَىٰ أَنفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِن رَّحْمَةِ اللَّهِ ۚ إِنَّ اللَّهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعًا ۚ
“Thuaj: O robërit e Mi! Të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me gjynahe, mos i humbni shpresat nga Mëshira e Allahut, vërtetë që Allahu i fal të gjitha gjynahet!” [Ez-Zumer, 53]
Por ajo që është e rëndësishme është që pendimi të jetë i sinqertë, dhe të jetë i vendosur që të mos kthehet më tek ai gjynah dhe jo pendim të luhatshëm, duke u penduar ndërkohë që në zemrën e tij e ka nijetin që të kthehet tek ai gjynah përsëri, atëherë ky pendim nuk është i saktë.
Porse, nëse pendimi është i saktë dhe gjatë kohës që e la gjynahun ishte i vendosur që të mos kthehej përsëri në të, atëherë nëse ai kthehet për herë të dytë (te ky gjynah), pendimi i parë nuk fshihet, përkundrazi pendimi i tij i parë është i saktë. Çdo herë që ai bënë gjynah dhe pendohet (me sinqeritet), Allahu ia pranon atij pendimin.
🖥 https://youtu.be/pdaf6TKUDnk
📙Burimi:
🏻Shejkh Muhamed ibn Salih El-Uthejmin – Allahu e mëshiroftë
El-Lika' Esh-Shehrij 2/13
Përktheu: Shpend Rrustemi



