Sexhdeja e harresës kryhet para selamit ose pas selamit, në varësi të shkakut të harresës.

Sexhdeja para selamit

Kjo bëhet në dy raste:

  • Kur ka ndodhur mangësim në namaz. Siç thuhet në hadithin e Abdullah bin Buhejnas (radijAllahu anhu), Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e bëri sexhden e harresës para selamit kur la teshehudin e parë.
  • Kur keni dyshim dhe nuk anon tek asnjëra nga dy çështjet se cila është e saktë. Bazuar në hadithin e Ebi Seid el-Khudriut (radijAllahu anhu), Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) urdhëroi atë që dyshonte në namaz dhe nuk dinte sa rekate kishte falur (tre apo katër), të bënte dy sexhde përpara se të jepte selam.

Sexhdeja pas selamit

Kjo bëhet gjithashtu në dy raste:

  • Kur shtohet në namaz. Sipas hadithit të Abdullah ibn Mes’udit (radijAllahu anhu), kur Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) fali drekën pesë rekate dhe u kujtua pasi kishte dhënë selam, ai bëri dy sexhde dhe pastaj dha selam. Kjo tregon se sexhdeja e harresës kur shton në namaz bëhet pas selamit, pavarësisht nëse e merr vesh shtimin para apo pas selamit. Po ashtu, nëse jep selam nga harresa përpara se të plotësosh të gjithë namazin, pastaj kujtohesh dhe e plotëson atë, bën sexhden e harresës pas selamit. Ky rast mbështetet në hadithin e Ebi Hurejrës (radijAllahu anhu), ku Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dha selam në namazin e drekës ose të ikindisë pasi fali dy rekate, më pas e plotësoi namazin, dha selam dhe bëri sexhden e harresës, pastaj dha selam.
  • Kur ka dyshim dhe anon tek njëra nga dy çështjet se ajo është më e sakta. Siç përmendet në hadithin e Ibn Mes’udit (radijAllahu anhu), Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) urdhëroi atë që dyshonte në namaz të zgjidhte të saktën, të plotësonte namazin bazuar në të, të jepte selam dhe pastaj të bënte sexhden e harresës.

Raste kur ndodhin dy harresa së bashku

Nëse ndodhin dy harresa bashkë, ku vendi i njërës është para selamit dhe tjetrës pas selamit, Ulematë thonë se ka përparësi ajo para selamit, prandaj sexhdeja bëhet para selamit.

Shembull: Një person fal namazin e drekës, ngrihet për rekatin e tretë pa u ulur për teshehudin e parë, dhe ulet në teshehud në rekatin e tretë duke menduar se është rekati i dytë. Më pas i kujtohet se është rekati i tretë, ngrihet dhe fal edhe një rekat, bën sexhden e harresës, pastaj jep selam. Në këtë rast, ai la teshehudin e parë (sexhdeja para selamit) dhe shtoi një ulje në rekatin e tretë (sexhdeja pas selamit), dhe për këtë arsye, sexhdeja para selamit ka përparësi. Dhe Allahu e di më së miri.


Lusim Allahun të na japë sukses neve dhe vëllezërve tanë Muslimanë në kuptimin e Librit të Tij dhe Sunetit të Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), dhe që të punojmë me to haptazi dhe fshehtazi në akijde, ibadet, marrëdhënie me të tjerët dhe të na e zbukurojë fundin të gjithëve. Vërtet Ai është më Bujari e Fisniku.

Lavdia i takon Allahut, Zotit të botëve, lavdërimi dhe bekimi i Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, mbi Familjen dhe mbi të gjithë Shokët e tij.

Nga Shejh Uthejmini