Pyetja: Çfarë duhet të bëjë ai që falet pas imamit kur imami harron në namaz?

Përgjigjja: Nëse imami harron në namaz, atij që falet pas imamit i bëhet obligim që ta pasojë imamin kur bën sexhden e harresës, sipas thënies së Pejgamberit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:

“Vërtet, imami është vendosur që të udhëhiqeni prej tij, prandaj mos e kundërshtoni atë…”

E deri tek thënia e tij:

“…e nëse bie në sexhde, bini edhe ju.” Transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi nga hadithi i Ebi Hurejrës, radijAllahu anhu

Qoftë kur bën imami sexhden e harresës para selamit, qoftë kur e bën pas selamit, është obligim për atë që falet pas tij që ta pasojë atë, përveç se në rastin kur ai atij i ka humbur një pjesë e mirë nga namazi, në këtë rast nuk e pason imamin kur bën sexhden e harresës, sepse kjo është e pamundur për të e s’mund të japë selam njësoj me imamin, prandaj vazhdon ai të falë atë që i ka humbur prej namazit, jep selam e më pas bën sexhden e harresës dhe jep selam.

Shembull:

Një burrë hyn në namaz me imamin në rekatin e fundit, dhe imami duhet të bëjë sexhden e harresës pas selamit, atëherë kur imami të japë selam, ky burrë ngrihet për në rekatin tjetër për të kompesuar atë që i ka humbur nga namazi dhe nuk e bën sexhden e harresës bashkë me imamin. Dhe kur ta përfundojë atë që i ka humbur nga namazi dhe të japë selam, bën sexhden e harresës pas selamit.

E nëse harron në namaz ai që falet pas imamit dhe jo imami vetë, e nuk i ka humbur gjë prej namazit, atëherë ai nuk e ka obligim që të bëjë sexhden e harresës, sepse me këtë sexhde e kundërshton imamin dhe e mangëson pasimin që i bën atij dhe sepse Sahabët, radijAllahu anhum, e lanë teshehudin e parë kur Pejgamberi harroi të ulej në të dhe u ngritën bashkë me të (për në rekatin tjetër) dhe nuk u ulën në teshehud nga kujdesi i madh që kishin në pasim dhe në moskundërshtimin e tij.

E nëse ka humbur diçka prej namazit dhe harron kur është duke u falur pas imamit apo në atë që kompesoi pas imamit, nuk bie nga ai obligueshmëria e sexhdes. Kështu, ai bën sexhden e harresës pasi që të ketë përfunduar atë që humbi nga namazi, para selamit ose pas tij, në varësi të hollësirave të mësipërme.

Shembull:

Ai që falet pas imamit harroi të thoshte “Subhane RabbijelAdhijm” në ruku dhe nuk ka humbur gjë prej namazit, në këtë rast nuk e ka obligim bërjen e sexhdes së harresës.

E nëse i ka humbur një rekat apo më shumë, atëherë ai e kompeson atë, pastaj bën sexhden e harresës para selamit.


Shembull tjetër:

Ai që fal me imamin drekën dhe kur imami ngrihet për në rekatin e katërt, ai që falet pas imamit ulet me mendimin se është në rekatin e fundit, e kur e merr vesh se imami është ngritur, ngrihet. Nëse nuk ka humbur diçka prej namazit, nuk e ka obligim që ta bëjë sexhden e harresës. E nëse i ka humbur një rekat apo më shumë, atëherë e kompeson dhe jep selam, e më pas bën sexhden e harresës dhe jep selam. Dhe kjo sexhde ishte për shkak të uljes së tij shtesë gjatë kohës që imami u ngrit për në rekatin e katërt.

Shejh Uthejmini