Pyetje: Na informoni rreth nijetit të agjërimit, sepse kam dëgjuar një hadith ku kuptimi i tij thotë: “Kush nuk e bën nijetin për agjërim që natën, nuk ka agjërim për të.” Si bëhet nijeti natën, a është në zemër apo duke e shqiptuar? Çfarë gjykimi ka për atë që e harron nijetin natën dhe e bën atë gjatë syfyrit? A është i vlefshëm agjërimi i atij që zgjohet fiks në kohën e ezanit të sabahut dhe nuk ka mundësi të hajë syfyr, por vetëm shpërlan gojën dhe agjëron? A është i vlefshëm ky agjërim nëse është në Ramazan, apo nafile, apo agjërimi është zotim (nedhr)? Allahu ju shpërbleftë me të mira.

Përgjigja: Kuptimi i hadithit është se ai e bën nijetin natën, edhe nëse nuk e bën atë veçse afër agimit. Kurdo që e bën nijetin, për të quhet se e ka bërë atë natën. Pra, nëse ai e bën atë në fund të natës, në mes të saj, apo në fillim, ai e agjëron të nesërmen ngase e ka bërë nijetin. E gjithë kjo vlen nëse agjërimi është i detyrueshëm.

Ndërsa nëse agjërimi është nafile (vullnetar), nuk është e domosdoshme që ta bëjë nijetin natën. Nëse ai e bën nijetin gjatë ditës, përpara se të hajë ose të kryejë ndonjë gjë që e prish agjërimin, nuk ka problem që ta bëjë nijetin gjatë ditës. Për shkak të hadithit që është vërtetuar te Sahihu i Muslimit, nga Aishja – Allahu qoftë i kënaqur me të – se:

“Një ditë, Profeti ﷺ hyri tek ajo dhe tha: “A keni ndonjë gjë (për të ngrënë)?”
Ajo tha:
“Jo.”
Atëherë ai tha:
“Atëherë unë po agjëroj.”

Kështu, Pejgamberi(alejhi selatu ue selam) e filloi agjërimin gjatë ditës.

Prandaj, nëse një person zgjohet dhe nuk ka konsumuar asgjë që e prish agjërimin, si ushqim apo pije, dhe më pas bën nijet të agjërojë gjatë ditës, nuk ka ndonjë problem në këtë gjë dhe atij do t’i shkruhet agjërimi që nga momenti kur bëri nijetin. Atij i shkruhet shpërblimi i agjëruesit që nga momenti kur bëri nijetin. Kjo vlen për agjërimin nafile.

Ndërsa për agjërimin e Ramazanit, të ndonjë zotimi (nedhr), shlyerjeve (kefaret) apo agjërimin e ditëve të mbetura nga Ramazani i kaluar, është e domosdoshme që nijeti të bëhet natën, sepse ai e ka detyrë ta agjërojë gjithë ditën dhe kjo nuk mund të realizohet përveçse me nijet të bërë para fillimit të ditës. Po.

/Shejhu Bin Bazi/
🖥Burimi: https://binbaz.org.sa/fatwas/18397/كيفية-تبييت-النية-في-الصيام
Përktheu: Altin Dallashi