MBULIMI I AURETIT(Aureti është pjesa e trupit që muslimani e ka obligim (farz) ta mbulojë gjatë faljes së namazit.
Mbulimi i auretit është prej kushteve të vërtetësisë së namazit dhe se namazi nuk pranohet pa të, ky është medhhebi i shumicës se dijetarëve prej hanefive, shafive dhe hambelive, njëherit është edhe mendimi më i njohur te malikitë. Në këtë pikë s’ka dallim mes atij që falet vetëm apo me xhemat, mes atij që falet në dritë apo në errësirë, pra, mbulimi i auretit është kusht për ata që kanë mundësi ta mbulojnë atë dhe mund të gjejnë rroba, e nëse falet me auret të zbuluar duke pasur mundësi ta mbulojë (auretin) apo edhe duke pasur mundësi të gjejë rroba për namaz dhe nuk e bën, namazi i tij është i prishur dhe atë namaz duhet ta përsëritë.
Aureti i burrit në namaz dhe jashtë namazit është mes kërthizës dhe gjunjëve, ky është mendimi i hanefive, malikive, shafive, hambelive dhe shumicës së fukahave.
Disa vëllezër duke mos i ditur rregullat e mbulimit në namaz, veshin rroba që nuk e mbulojnë auretin, si: pantollona të shqyer apo të shkurtër, bluza që ua zbulojnë fundin e shpinës etj., e që paraprakisht duhet mbuluar për namaz, apo disa motra e neglizhojnë mbulimin e asaj që duhet mbuluar apo mbulojnë atë që është e lejuar të zbulohet në namaz apo edhe veshin rroba të tejdukshme. Ne nuk jemi të thirrur vetëm ta mbulojmë auretin në namaz, por edhe të vishemi bukur!
Rroba, me të cilën jemi të obliguar të mbulohemi në namaz, ka dy forma:
1. Forma e obligueshme dhe
2. Forma e përsosur.
Forma e obligueshme nënkupton mbulimin e auretit, ndërsa forma e përsosur nënkupton veshjen e rrobave të mira dhe të bukura.
Nëse vrima në rrobat me të cilat është falur namazliu është e vogël dhe e paqëllimtë, namazin e ka në rregull, duke u bazuar në mendimin se zbulimi i lehtë dhe i paqëllimshëm në namaz falet dhe tolerohet, ndërsa masën e zbulimit të lehtë e precizon zakoni (adeti), e nëse është bërë me qëllim dhe nuk është e paktë, atëherë obligohet përsëritja e namazit, kjo nëse vrima (shqyerja) është afër auretit, e nëse është nën gjunjë kjo nuk ndikon në vërtetësinë e namazit edhe nëse është e shumtë.
Hoxhë Valdet Kamberi




