Pyetje: Hoxhë, as-selamu alejkum! Kam qenë e papunë dhe normalisht shteti të paguan, por duhet të dërgosh vazhdimisht aplikime për punë sipas kërkesës së tyre. Ka ndodhur që për një javë nuk kam dërguar aplikime, por kam thënë se i kam dërguar. Kjo ndodhi vetëm një javë, ndërsa gjatë gjithë kohës tjetër jam paguar rregullisht. Paratë i kam harxhuar ose nuk e di saktësisht se çfarë kam bërë me to. A është e ndaluar (haram) e gjithë rroga e atij muaji apo vetëm ajo javë? Si duhet të veproj?
Përgjigje: Fillimisht, rregullat që i vendos shteti dhe vendi ku jetojmë për sa kohë nuk bien ndesh me dispozitat e sheriatit janë thjesht rregulla të jetesës se si duhet punuar, fituar dhe lajmëruar. Këto janë rregulla të vendosura për të organizuar jetën e njerëzve dhe sistemin shoqëror, prandaj duhet t’u përmbahemi.
Rregulli në vendin ku jetojmë është se, nëse je i papunë, të jepet ndihma sociale. Në momentin që punësohesh ose përderisa merr socialin, duhet të jesh i hapur dhe të aplikosh në konkurset që të dërgojnë. Tani, a pranohesh apo jo është çështje tjetër, por kjo është një rregull që duhet respektuar, sepse shteti dëshiron të vendosë një sistem të rregullt: të jepet ndihmë financiare derisa të gjesh punë, ose të ndihmohet duke të dërguar konkurse ku ti aplikon vazhdimisht.
Në rastin konkret, personi në fjalë ka kërkuar punë rregullisht, por për një javë nuk ka aplikuar apo nuk i ka përcjellë konkurset, ndërsa ka deklaruar se i ka përcjellë. Sidoqoftë, ndodh shpesh të ketë konkurse që nuk të përshtaten. Për shembull, si musliman, mund të të ofrojnë një punë në ndonjë vend ku shërbehet alkool, gjë që nuk të lejohet ta bësh.
Përderisa ka raste kur lejohet t’i shmangesh një vendi pune për shkak të parimeve fetare, edhe kjo javë nuk përbën ndonjë problem të madh. Në fund të fundit, pas asaj jave ti ke vazhduar t’i përcjellësh konkurset rregullisht, por sërish nuk je punësuar. Kështu që, nuk ka ndonjë problem të madh për pagën ose ndihmën sociale të atij muaji që e ke marrë dhe harxhuar, me lejen e Allahut të Lartësuar.
/Hoxhë Dr. Rasim Haxha/




