Pyetje: A është haram për macet të hajnë ushqimin i cili përmbanë yndyrë të derrit?!
Edhe vet fabrika që i prodhon ato ushqime e kan pranu se ato uhqime përmbajnë yndyrë derri

Përgjigje:
Me Emrin e Allahut, Mëshirëplotit, Mëshiruesit!

Nuk dimë se ka ndonjë ndalesë që kafshët të ushqehen me gjëra të cilat janë të ndaluara për njerëzit. Macet, në këtë rast, e kanë të lejuar të hanë miun, i cofët qoftë apo i gjallë, dhe nuk merret në llogari për të. Njëjtë, edhe tek çështja e mishit të derrit, kjo gjë është e ndaluar për njerëzit e jo për kafshët. Prandaj, ajo që ndalohet është dhënia e kafshëve ushqim helmues i cili i mbyt ato, ngase në Islam nuk lejohet mbytja e kafshëve të cilat nuk janë të dëmshme, e assesi maceve të cilat Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) i ka quajtur “kafshë që sillen vërdallë rreth jush”, pra kafshë shtëpiake të padëmshme. Kurse në hadithin tjetër është përmendur se një grua është futur në Zjarr (Xhehenem) për shkak se e ka ngujuar macën, as nuk e ka lënë të ushqehet vetë, e as nuk e ka ushqyer, derisa ka ngordhur. E, po ashtu, Pejgamberi ﷺ e ka ndaluar marrjen e zogjve në shënjestër, për t’u argëtuar ose stërvitur. Pra, ajo që ndalohet janë gjërat e lartcekura, mirëpo një gjë duhet pasur parasysh, nëse ky ushqim e dini se përmban yndyrë derri, mos e mbani në frigoriferin apo dollapet tuaja, mbajeni diku jashtë shtëpisë, për të qenë më të ruajtur. Allahu e di më së miri!

Hoxhë Hekuran Helshani