Pyetja:

A është Profeti i Allahut ﷺ i gjallë në varrin e tij të nderuar me shpirtin të kthyer në trupin e vet, duke bërë jetë të vërtetë si në këtë botë?

***

Përgjigjja:

I Dërguari ynë, Muhamedi ﷺ është i gjallë në varrin e tij, duke jetuar jetën e varrit, në të cilën ai provon të mirat dhe begatitë që Allahu ka përgatitur për të, si shpërblim për veprat e tij të mira dhe madhështore që bëri në këtë jetë. Shpirti i Profetit ﷺ nuk ka të njëjtën lidhje me trupin e tij, si të ishte i gjallë, njëlloj si në jetën e kësaj bote dhe as nuk si të ishte i gjallë në Ditën e Gjykimit, por ai jeton jetën e varrit, të ndërmjetme, ndërmjet jetës së dynjasë dhe jetës pas ringjalljes (Berzahun). Nga kjo del se, ai ka vdekur siç vdiqën edhe profetët e tjerë para tij. Allahu thotë: “Para teje, Ne nuk e kemi bërë asnjë të pavdekshëm. Nëse ti vdes, a do të mbesin ata të përjetshëm?!” (Enbija: 34)

Çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket, e do të mbetet vetëm Fytyra (Qenia) e Zotit Tënd, plot Madhëri dhe Nderim.” (Rrahman: 26, 27)

“Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht që edhe ata do të vdesin.” (Zummer: 30) … si dhe të tjera ajete, që tregojnë se Allahu ia ka marrë shpirtin. Shokët e Profeti (Allahu qoftë i kënaqur me ta) ia lanë trupin, e qefinosën, i falën namazin e xhenazes dhe e varrosën. Po të kishte qenë gjallë si në jetën e dynjasë, ata nuk do vepronin me të siç veprohet edhe me të vdekurit e tjerë. Gjithashtu, Fatimeja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kërkoi trashëgiminë e të atit, nisur nga bindja që babai i saj kishte vdekur dhe askush nga sahabet nuk e kundërshtoi në këtë bindje, madje Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), iu përgjigj se profetët pas vdekjes nuk lënë trashëgimi. [1]
Gjithashtu, sahabet u mblodhën për të zgjedhur kalifin e muslimanëve pas vdekjes së Profetit, ﷺ gjë e cila u arrit me caktimin e Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) në këtë post dhe nëse Profeti do të kishte qenë gjallë, si në jetën e dynjasë, ata nuk do vepronin kështu, ndaj ky është një qëndrim unanim i sahabëve se ai kishte vdekur.

Kur fitnet, trazirat dhe problemet u shtuan në kohën e Uthmanit dhe të Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të dy), apo para dhe mbas tyre, sahabët nuk shkuan te varri i Profetit që të këshilloheshin me të dhe t’i kërkonin atij rrugëdalje nga këto trazira e probleme dhe për mënyrën e zgjidhjes së tyre. Po të kishte qenë i gjallë si në jetën e kësaj bote, ata nuk do prisnin për të vepruar kështu, në një kohë që kishin shumë nevojë që dikush t’i shpëtonte nga belatë që i kishin zënë.

Shpirti i Profetit ﷺ ndodhet në xhenetet më të larta, sepse ai është njeriu më i mirë e Allahu i ka dhuruar atij “Uesile-n”, e cila është grada më e lartë në Xhenet.

Gjykimi bazë për të vdekurit është se ata në nuk i dëgjojnë thirrjet dhe lutjet e njerëzve të gjallë, ashtu siç edhe Allahu i Lartësuar thotë: “..Kurse ti (Muhamed) nuk mund të bësh të dëgjojnë ata që janë në varre.” (Fatir: 22)
Gjithashtu, në Kuran dhe në hadithet autentike nuk vërtetohet se Profeti ﷺ dëgjon çdo lutje apo thirrje të njerëzve, aq sa kjo të jetë një veçori e tij, por ajo që vërtetohet prej tij është se atij i përcillen vetëm salavatet, pavarësisht se bëhen në afërsi të varrit të tij apo në largësi. Që të dyja rastet nuk kanë dallim në lidhje me këtë çështje, dhe për këtë bazohemi në një traditë autentike nga Ali ibn Husejn ibn Ali (stërnipi i Profetit ﷺ, Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili pa një njeri që shkoi në qoshe pranë varrit të Profetit ﷺ u fut në të dhe filloi të lutej, ndërkohë Ali ibn Husejn e ndaloi duke i thënë: “A të tregoj një hadith që e kam dëgjuar nga babai im dhe ai nga gjyshi im, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos e bëni varrin tim vend vizitash dhe lutjesh e as shtëpitë tuaja varreza, por bëni salavat për mua sepse ai më mbërrin mua kudo që ju jeni!” [2]
Kurse hadithi: “Kush më dërgon salavat te varri im, unë e dëgjoj atë, kurse kush më dërgon salavat nga larg, mua më përcillet.” [3]
Ndërkohë përcillet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kushdo që më jep selam, Allahu ma kthen shpirtin që t’ia kthej atij selamin.” [4], por ky hadith nuk tregon në mënyrë të drejtpërdrejtë që ai e dëgjon selamin e muslimanëve, por përkundrazi, ai ia kthen selamin kur engjëjt ia përcjellin atë. Nëse do të supozonim se ai e dëgjonte selamin e muslimanëve, kjo jo domosdoshmërish do të thotë se kështu ndodh edhe me lutjet dhe thirrjet që i bëhen atij.

Si përgjigje ndaj pretendimit të Husejn Ahmedit, Shejh Hamud et-Tuexhri thotë: “Sipas fjalës së Husejn Ahmedit del se, profetët janë të gjallë duke bërë një jetë të vërtetë, jo si jeta e varrit, dhe kjo të çon në përfundime absurde, prej të cilave janë: që profetët ecin në tokë si gjithë njerëzit e gjallë, hanë dhe pinë, kryejnë nevojat personale si gjithë njerëzit e tjerë, se ata ndodhen mes njerëzve, shikohen nga ata, ulen me ata dhe njerëzit mësojnë prej tyre. Të gjitha këto janë absurde, e padyshim që refuzohen nga çdo njeri i logjikshëm. Një ide e tillë, qoftë edhe e pjesshme, është çmenduri dhe lajthitje, as njeriu që ka sado pak logjikë nuk e thotë diçka të tillë. Gjithashtu nga fjala e Husejn Ahmedit, dilet në përfundimin tjetër absurd se varri i Profetit ﷺ duhet të jetë i bosh, pa trupin e tij të nderuar. Po kështu edhe për varret e profetëve të tjerë, dhe kjo kuptohet nga çdo njeri i logjikshëm se është absurde e nuk mund ta thotë, vetëm se një njeri me probleme mendore.

Gjithashtu, nga përfundimet absurde që vijnë si pasojë e kësaj fjale të kotë, është edhe përgënjeshtrimi i teksteve që tregojnë vdekjen e Profetit (alejhissalatu uesselam) dhe të gjithë njerëzve, si në ajetet kuranore: “Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht që edhe ata do të vdesin.” (Zummer: 30)

Muhamedi është vetëm i Dërguar, para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. Nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa?” (Âl ‘Imran: 144)

Para teje, Ne nuk e kemi bërë asnjë të pavdekshëm. Nëse ti vdes, a do të mbesin ata të përjetshëm?! Çdo njeri do ta shijojë vdekjen!” (Enbija: 34, 35)

Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen dhe pastaj të gjithë do të ktheheni tek Ne.” (Ankebut: 57)

Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit.” (ÂlImran: 185)

Çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket, e do të mbetet vetëm Fytyra (Qenia) e Zotit Tënd, plot Madhëri dhe Nderim.” (Rrahman: 26, 27)

Kur Husejn Ahmedi dhe të tjerë drejtues të devijuar, mendojnë se profetët janë të gjallë duke jetuar si në jetën e kësaj bote dhe se xhemati dhe imamët e tyre kanë mundësi të marrin pjesë në kuvendet e Profetit, duke qenë zgjuar dhe jo në gjumë, si do t’i përgjigjeshin këtyre teksteve që tregojnë se vdekja është e përgjithshme si për profetët, ashtu edhe për të gjithë njerëzit e tjerë?! Si do t’i përgjigjeshin haditheve të shumta që kanë ardhur për vdekjen dhe varrosjen e Profetit ﷺ?! Po fjalës së tij që ka thënë: “Unë jam i pari për të cilin do të çahet toka ditën e Kiametit.”? [5]
Nëse nuk kanë përgjigje të saktë për ajetet që u përmendën më lart, si edhe për hadithet që tregojnë për vdekjen e Profetit ﷺ dhe qëndrimin e tij në varr deri në Ditën e Kiametit, atëherë përgjigjja e tyre duhet të ishte kthimi te e vërteta që na tregon Kurani, Suneti profetik dhe rruga e të parëve të mirë, prej sahabeve dhe tabi’inëve, tek besimi se profetët dhe mbarë njerëzit i merr vdekja, dhe si ata dhe këta dhe të gjithë të vdekurit do të qëndrojnë në varret e tyre deri në Ditën e Kiametit, ku varri i parë që do të hapet (për tu ringjallur), është varri i të Dërguarit të Allahut ﷺ.

Koleksioni i fetvave të Komisionit të Përhershëm të Fetvave, Vëll. XI, – Akide.

——————————

[1] Buhariu dhe Muslimi

[2] Bejhekiu në “Hajat el-Enbija’’ dhe “Shu’ab el-Iman ”(3140)
Shejh Albani thotë: i trilluar si në “Daif el-Xhamia”(12445).

[3] Ebu Davudi (2042); Ibn ebi Shejbe (2150); Ahmedi (2376) (8790)
Albani e ka konsideruar të vërtetë.

[3] Shiko lart te fusnota 1.

[4] Ebu Davudi (2041); Ahmedi (2527), (10827); Bejhekiu (5245).
Ibn Tejmie në “Iktida’ sirat el-mustekim”(2173) ka thënë: sipas kushteve të Muslimit; Albani e ka vlerësuar të mirë.

[5] Tirmidhiu (3148); Ibn Maxha (4308); Ahmedi 32(11000) hadith që përcillet nga sahabiu Ebu Seid. Tirmidhi thotë: hadith hasen sahih;
Albani në “sahih et-Tirmidhi”(3615) thotë: sahih;
Buhariu e ka transmetuar me shprehjen: “dhe do të jem i pari për të cilin do të hapet toka.”