Pyetja:

Vitet e fundit studiot e mëdha kinematografike, të filmave për fëmijë, kanë prodhuar filma vizatimor që përmbajnë skena magjie apo shirku. Mund të përmend këtu Ëinx Club, Yugi…etj. Lojërat elektronike për fëmijë, që përmbajnë skena magjie, dhune, kryqe, krijesa të mbinatyrshme. A duhet t’i lejojmë fëmijët tanë, të luajnë me këto lojëra?

***

Përgjigjja:

Kjo pyetje ka lidhje me një fenomen më të gjerë kulturor të ditëve të sotme dhe është reflektim i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i disa rrymave me natyrë teozofike, spiritualiste, magjike, pagane, New Age… etj. Edhe pse jetojmë në një botë moderne, ku mendohej se shkenca dhe zhvillimi teknologjik do të zhdukte nevojën e njeriut për besimet fetare, sot krahas rigjallërimit të feve tradicionale, në shumë vende të botës, përballemi edhe me një rigjallërim të idhujtarisë dhe paganizmit të dikurshëm, por me forma dhe përmbajtje deri diku të re. Këto rishfaqje të neopaganizmit gjenden më të përhapura në Perëndim, dhe prej andej ato shpërndahen në mbarë botën, jo vetëm në formën e tyre origjinale si ide dhe besime, por edhe nëpërmjet  fenomeneve kulturore të ndryshme, siç janë muzika, filmat, piktura, arti… etj.

Kulturat dhe qytetërimet pagane, ashtu si edhe dikur, i japin një rëndësi të theksuar imazhit. Figurat, simbolet e idhujve dhe të perëndive në këto kultura, ashtu si edhe sot në kohët moderne, dominonin ngado jetën e një idhujtari, sepse ai në çdo moment kërkonte që të shoqërohej nga mbrojtja dhe përkujdesja e këtyre hyjnive të rreme, që ai i besonte për të vërteta, ai ashtu si dhe shumë njerëz të sotëm, ishte i dashuruar pas objekteve që përfaqësojnë këto imazhe. Në ditët e sotme gjen një përhapje tejet masive të kësaj neo-idhujtarie, të kamufluar nën petkun e asaj që quhet art pamor. Kështu p.sh. mjaft filma vizatimorë për fëmijë, paraqesin personazhe imagjinare, qofshin këto të marrë nga mitologjia apo edhe të sajuar, personazhe këto që kanë fuqi mbinatyrore, që me anë të magjisë apo mjeteve të tjera, fitojnë aftësi për të bërë gjëra, që në besimin politeist zotat mund t’i bënin dhe që në realitet, vetëm Krijuesi i ka të mundshme. Këto filma jo vetëm që japin një pamje të pasaktë të realitetit, por ato edukojnë brezin e ri me frymën se njeriu është Zoti i kësaj bote, pasi në to, kurrkund nuk duket roli i Zotit të vërtetë. Ky fenomen shfaqet edhe më i sofistikuar në filmat artistikë për të rritur, ku imagjinata fantastiko-shkencore e producentëve të kinemasë, i bën ato të duken si realitet i mundshëm njerëzor, gjëra që në fakt vetëm Zoti i ka në dorë. Në të gjitha këto materiale, vihet theksi te fuqitë mbinatyrore të njeriut, ndërsa roli apo edhe vetë ekzistenca e Zotit, nuk duket asgjëkund. A nuk është kjo një formë e re e propagandimit të idhujtarisë, pavarësish pamjes së saj?

Muslimani e ka detyrë të besojë se Allahu është Krijuesi dhe Zoti i kësaj bote dhe vetëm Ai ka fuqi të sjellë dëmin dhe dobinë. Vetëm Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Plotfuqishëm për çdo gjë dhe vetëm Atij i përkasin atributet hyjnore. Ai e sjell fatin, mbarësinë, suksesin, shpëtimin, shërimin, lumturinë etj., vetëm Ai e ruan njeriun nga efektet e magjisë, fatkeqësitë, sëmundjet dhe dëmet e ndryshme. Ky është besimi i vërtetë islam, që ndryshe quhet edhe Teuhid, njësimi i Allahut në besim dhe adhurim.

Nisur nga kjo që thamë, të gjitha ato filma ose lojëra elektronike që përmbajnë të tilla skena magjie, idhujtarie…etj, apo dhune dhe simbolika joislame, nuk lejohet të shihen, në veçanti nga ana e fëmijëve dhe brezi i ri. Këtu futen edhe lojërat me letra apo karta të ndryshme si YU-GI-OH, Bakugan, Ëinx etj, të përhapura shumë mes fëmijëve, karta të cilat përmbajnë simbole pagane, fuqi mbinatyrore imagjinare, gjoja lugetër që ngrihen nga varri dhe bëjnë veprime të ndryshme, që nuk i bëjnë dot të tjerët…etj, si këto. Të gjitha këto gjëra, janë elementë të cilët lenë ndikim negativ në formimin e fëmijëve, ndaj dhe janë të ndaluara. Veç kësaj përmbajtja e këtyre filmave ose lojërave cenon hapur Teuhidin, monoteizmin islam.

Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) një ditë i thoshte Abdullah ibn Abbasit, kur ai ishte ende fëmijë:

“O djalosh…! Kur të lutesh, lutju Allahut dhe kur të kërkosh ndihmë kërkoji vetëm Allahut! Dije se, nëse të gjithë njerëzit grumbullohen që të të sjellin ty një dobi, ata nuk mund të bëjnë asgjë veç asaj që të ka caktuar Allahu. Dhe nëse njerëzit mblidhen të të bëjnë ty një dëm, nuk mund të të bëjnë dot asgjë veç asaj që ka caktuar Allahu!” [1]

Kjo është edukata që duhet t’u japim fëmijëve tanë dhe t’i largojmë ata nga çdo gjë që e cenon Teuhidin. Përgjegjësia kryesore në këtë rast bie mbi prindërit e fëmijëve, të cilët në shumicën e rasteve tregohen neglizhent dhe nuk përkujdesen për edukimin dhe formimin moral dhe fetar të fëmijëve të tyre, në mënyrën e duhur dhe të vazhdueshme. Pikërisht kjo neglizhencë bën që fëmijët të përmbushin nevojat e tyre të moshës me lojëra dhe filma të cilat lenë ndikim negativ tek ta gjatë gjithë jetës, ku edhe mund të bëhen shkak të humbasin gradualisht identitetin e tyre islam.

Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

——————————-

[1] Tirmidhiu