Pyetja:

Nëse njeriu në varr shpëton nga dënimi i varrit a do të thotë kjo se do të shpëtojë nga dënimi edhe në Ditën e Gjykimit përderisa ringjallja atje është me trup dhe me shpirt dhe do të pyetet në detaje për gjithçka që ka vepruar në jetën e dunjasë?

***

Përgjigjja:

Edhe pse në Ditën e gjykimit njeriu do të pyetet në detaje dhe në jetën e varrit nuk do të pyetet për çdo detaj të jetës që ka jetuar, përsëri jeta e varrit është shenjë e qartë për ecurinë e njeriut në Ditën e Gjykimit. Përderisa sipas argumenteve të ndryshme të sakta njeriut besimtar do t’i hapet një derë për nga Xheneti, prej së cilës do t’i vijë nga flladet freskuese dhe erërat e këndshme të tij dhe do t’i jepet mundësia t’i hapet një derë për nga Xheneti që të shikojë vendin e përjetshëm që e pret, dhe anasjelltas për jo besimtarin i cili do të përjetojë të kundërtën [1], atëherë njeriu e dallon vetë që në varr se çfarë e pret në Ditën e Gjykimit, për mirë ose për keq qoftë.

Gjithashtu, në një hadith të saktë Profeti ﷺ ka thënë: “Varri është banesa e parë nga banesat (vendqëndrimet) e ahiretit, nëse shpëton prej tij, çdo gjë më pas do të jetë e lehtë. E, nëse nuk shpëton prej tij, çdo gjë më pas do të jetë e vështirë.”

Allahu e di më së miri.

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH.

———————–

[1] Ebu Davudi nr. 4753 dhe Ahmedi 4/288

[2] Ahmedi 1/63 dhe Tirmidhiu nr. 2308