Pyetja:

A është syfyri kusht për pranimin e agjërimit, apo ai nuk është i këtillë?

***

Përgjigjja:

Syfyri nuk është kusht për agjërimin, por ai është Sunnet, sepse Pejgamberi ﷺ e ka zbatuar dhe ka urdhëruar për të. Enes b. Maliku radijAllahu anhu transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Zgjohuni në syfyr, ngase në syfyr është bereqeti.” [1]
Pra, syfyri është sunnet dhe vonimi i tij poashtu është sunnet, sepse ai e forcon muslimanin për agjërim dhe ia lehtëson vështirësinë e agjërimit. Ai poashtu e zvogëlon periudhën e urisë dhe etjes. Kjo, sepse kjo fe ka ardhur me lehtësime të cilat ua lehtësojnë njerëzve ibadetet e tyre dhe i motivojnë në to. Nga këto lehtësime është shpejtimi (mosvonimi) i iftarit dhe vonomi i syfyrit. Është sunnet për muslimanin agjërues që të zgjohet në syfyr dhe të hajë syfyr qoftë edhe pak si p.sh. me hurma apo me një pije të ujit, duke vepruar në bazë të sunnetit të të Dërguarit të Allahut ﷺ. Në syfyr ka edhe dobi tjetër shpirtërore, e ajo është kujdesi (vëmendja) dhe zgjimi para agimit të ditës, në kohën e syfyrit në të cilën u paraqitet Allahu me mëshirën e Tij robërve të Vet, e i përgjigjet (ia pranon lutjen) atij që i lutet, e fal atë që kërkon faljen e Tij dhe ia pranon atij që bën vepër të mirë. Sa dallim i madh ndërmjet atij që këtë kohë e kalon duke e përmendur Allahun dhe duke lexuar Kur’an dhe atij që e kalon këtë kohë duke fjetur.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————

[1] Buhariu dhe Muslimi