Pyetja:“Në gjuhën shqipe hasim shprehje si: shpirtlig, shpirt skëterrë, shpirt grymur, shpirtzi etj.
A përbëjnë këto shprehje mungesë respekti ndaj shpirtit si krijesë e veçantë e Allahut?
A lejohet përdorimi i tyre?”

Përgjigje:

Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.
Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij, mbi familjen dhe shokët e tij.

Nëse do të shikojmë origjinën e këtyre shprehjeve në gjuhën shqipe përdoren në një kontekst ku fjala “shpirt” nuk i referohet drejtpërdrejt shpirtit të krijuar nga Allahu, por më tepër personalitetit, karakterit dhe sjelljes së njeriut. Kështu shpesh përdoren metafora që nuk synojnë përçmimin e ndonjë krijese, por janë shprehje të figurshme për të përshkruar moralin ose sjelljen e dikujt. Për shembull kur thuhet: “zemërgjerë” përdoret për një person bujar, edhe pse “zemra” si organ nuk ka lidhje me bujarinë.

Nëse e marrim nga ky këndvështrim, përdorimi i këtyre shprehjeve mund të shihet si një formë gjuhësore, e cila nuk është domosdoshmërisht mungesë respekti ndaj shpirtit si krijesë e Allahut, por më tepër një mënyrë e të shprehurit në gjuhën shqipe. Megjithatë, nga një musliman është gjithmonë më e mirë të përdorë fjalë që nuk krijojnë ndonjë hije mosrespekti ndaj shpirtit si krijesë e Allahut, sepse Islami inkurajon një gjuhë të pastër dhe fjalë të mira, dhe nëse ka mundësi të përdoren alternativa më të kujdesshme, atëherë ato janë më të preferueshme.

Nëse analizojmë shprehje si “shpirtzi,” “shpirtlig,” “shpirt skëterrë,” vërejmë se ato nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me vetë natyrën e shpirtit, por me karakterin dhe sjelljen e personit. Por, për shkak se fjala “shpirt” lidhet me një krijesë të veçantë të Allahut, është më e udhës të shmangim përdorimin e tyre dhe të zgjedhim fjalë më të pastra dhe më të kujdesshme për të përshkruar sjelljen e dikujt, si p.sh.:
Njeri i lig në vend të shpirtlig
Njeri i errët në zemër në vend të shpirt skëterrë
Zemërkeq në vend të shpirtzi

Në Islam, ne jemi të ftuar të flasim me fjalë të mira dhe të shmangim çdo gjuhë që mund të nënvlerësojë ose përçmojë ndonjë nga krijesat e Allahut, veçanërisht shpirtin, për të cilin Allahu i Lartësuar thotë:
وَيَسْـَٔلُونَكَ عَنِ ٱلرُّوحِ قُلِ ٱلرُّوحُ مِنْ أَمْرِ رَبِّى وَمَآ أُوتِيتُم مِّنَ ٱلْعِلْمِ إِلَّا قَلِيلًۭا
“Dhe të pyesin ty (o Muhamed) për shpirtin. Thuaj: ‘Shpirti është çështje e Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije” (El-Isra: 85).

Si përfundim, edhe pse këto shprehje përdoren në gjuhën shqipe, është më e pëlqyeshme të shmangen dhe të përdoren fjalë alternative që ruajnë madhështinë e krijesës së Allahut. Një besimtar që dëshiron të përdorë një gjuhë të pastër e të bukur mund t’i shmangë dhe të zgjedhë fjalë më të mira për të përshkruar karakterin e njerëzve.

Allahu e di më së miri.

/Dr. Adelina Kuçana /