Pyetje
Cili është gjykimi në lidhje me vizitën e xhamisë pejgamberike (xhamisë së Profetit në Medine)? Dhe a ka kjo lidhje me haxhin?
Përgjigje
Të vizituarit e xhamisë së Profetit është sunet, duke u bazuar në fjalën e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!):
“Nuk lejohet udhëtimi me qëllim ibadeti vetëm se në tre xhami: Në mesxhidul haram (në Meke), në këtë xhaminë time¹ si dhe në xhaminë el‐Aksa.”
(Buhariu nr. 1189 dhe Muslimi nr. 1397)
Pra, njeriu udhëton që të vizitojë xhaminë e Profetit, për shkak se namazi në të është më i mirë se 1000 namaze pos saj, përveç mesxhidul haramit (në Meke)².
Porse, kur ai (personi) të udhëtojë për në Medine, kërkohet prej tij që qëllimi i tij, pikë së pari, të jetë namazi në xhaminë e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). E kur të mbërrijë atje, atëherë viziton edhe varrin e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) si dhe varret e dy shokëve të tij, Ebu Bekrit dhe Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy ata). Kjo, në mënyrën e ligjëruar, pa bidate dhe pa e tepruar.
Ndërsa për sa i përket fjalës së pyetësit:
“A ka kjo lidhje me haxhin?”³
Përgjigja ndaj tij është: Kjo nuk ka aspak lidhje me haxhin dhe se vizita e xhamisë profetike është e ndarë. Dhe haxhi dhe umra janë të ndara prej saj (vizitës).
Porse dijetarët (Allahu i mëshiroftë!) i kanë përmendur ato³ në temën e “Haxhit” ose në fund të “Kapitullit të Haxhit”, për shkak se njerëzit në kohën e shkuar e kishin shumë të vështirë që ta veçonin haxhin dhe umrën në një udhëtim (të posaçëm vetëm për këto të dyja) dhe vizitën e xhamisë profetike në një udhëtim tjetër. Ata, kur e kryenin haxhin dhe umran, kalonin edhe në Medine për të vizituar xhaminë e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
Pra, nuk ka asnjë lloj lidhje ndërmjet kësaj dhe asaj⁴.
Shejhu i nderuar, Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!)
“Mexhmu’ fetava ve rasail” vëll 23
Shënime
- Është për qëllim xhamia e Profetit në Medine.
- Buhariu nr. 1190 dhe Muslimi nr. 1394.
- Haxhin, umran dhe vizitën e varrit të Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
- Ndërmjet haxhit dhe vizitës së xhamisë profetike.




