Pyetja:

A janë sunet 4 rekatet para farzit të ikindisë, 4 para farzit të jacisë dhe 4 rekate sunet para farzit në ditën e xhuma?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Për katër rekate sunet para farzit të ikindisë ka hadith të saktë nga i Dërguari i Allahut ﷺ: “Allahu e mëshiroftë atë që fal para ikindisë (asrit) katër rekate.” [1]

Para farzit të jacisë njeriu mund të falë 2 ose 4, ose 6, ose 8, ose 10, po me një kusht të mos besojë se janë sunet të jacisë. Sepse nuk ka transmetim të ketë jacia 4 rekatë sunet para. Ti mund të falesh 2 rekate me nijetin: “Mes çdo ezani dhe ikameti ka 2 rekate nafile.” [2]

Për katër rekate sunet para farzit të ditës së xhuma ka hadith, po ai është i dobët. Por, nëse njeriu fal 2 ose 4, ose 6, ose 8, ose 10 apo më shumë po me një  kusht të mos besojë se janë sunet të xhumasë, s’ka problem; dhe kushti i dytë: mos t’i kufizojë me ezanin e parë.

Për ç’të përmenda me argument fali ose përndryshe jo. Allahu e di më së miri.

Imam dr. Ahmed Kalaja

————————–

[1] Ebu Davudi dhe Tirmidhiu

[2] Buhariu dhe Muslimi