Pyetja:

Vëllai im është martuar para 3 vitesh ndërsa është fejuar para 5 vitesh me një vajzë që jeton në Suedi. Në fillim kanë kaluar shumë mirë dhe janë dashur shumë, ndërsa pasi që janë martuar të gjitha kanë ndryshuar. Pas martesës, pasi kanë shkuar në Suedi për të jetuar, ata secilën ditë janë grindur më shumë. Shkaqet e grindjes ishin që vëllai im bëhej xheloz, nuk e lejonte t’i përqafonte meshkujt kur shkonte në punë, nuk e lejonte të shkoj në diskotekë me shoqet, nuk e lejonte të dalë shpesh me shoqe sepse shoqet i kishte të gjitha të krishtera, i kërkonte t’ia përgatiste ushqimin dhe t’i kryente punët e shtëpisë pasi të kthehet nga puna. Përgjigjja e saj ishte: unë nuk jam grua që rri në shtëpi dhe t’i kryej punët e shtëpisë, unë kam punën time. Pas gjithë këtyre vëllai im u tregoi prindërve të saj për të gjitha këto, por prindërit e saj iu përgjigjen: kështu është rritur ajo në vend të huaj, nuk mund të jetë sikur vajzat nga Kosova, t’i duhesh të durosh si thotë ajo. Ata nuk dëshironin t’ia prishnin vajzës së tyre asnjë send. Por vëllai im jeton veç me të në Suedi, ndërsa ajo e ka edhe familjen afër dhe përkrahjen e tyre. Më vonë ajo i ka mbledhur plaçkat dhe ka ikur në një banesë tjetër për të jetuar vetëm dhe familja këtë ia ka lejuar. Kur familja ime fliste me familjen e saj i thoshin që mos t’i tregonin askujt për këtë, pasi vajza jonë mund të ketë magji se ajo nuk është e mundur t’i bëj këto sjellje. Qe 2 vite ajo jeton vet në banesë larg nga vëllai im, ndërsa familja e saj thotë mos i tregoni askujt, keni durim se ajo ndryshon. Por ajo del me shoqe, vishet e shkon ku dëshiron e vëllait tim i vije inat për këtë.

Çfarë të bëjmë me këtë punë, a të durojmë akoma ose çfarë të bëjmë. Vëllai im mërzitet shumë se jeton vet në Suedi, larg familjes.

***

Përgjigjja:

Fillimisht e lus Allahun e Madhërishëm që t’ju ndihmojë në tejkalimin e kësaj situate, e cila jo që qenka aq e komplikuar, por qenka problem paksa i vjetruar dhe i shthurur sa i përket lidhjes së tij me parimet islame!

Në bazë të përshkrimit tuaj të ngjarjes, kuptoj se martesa e vëllait tuaj me atë nuse të rritur në Suedi ka ndodhur kohë më parë, sigurisht mbi parimin e interesit për statusin e vajzës (nuses) si qytetare e një shteti evropian që nënkupton rregullimin e letrave për qëndrim dhe punësim në atë shtet. Ose siç njihet në popull, martesë për vizë respektivisht letra e jo pse karakteri i vajzës, fetaria e saj, prejardhja e saj familjare apo bukuria e saj ju kanë joshur për ta kërkuar atë. Për këtë arsye i Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: “Ngadhënje (merre) atë që ka fe, përndryshe të thahen duart (mjerohesh)!

Sido qoftë, ju tanimë jeni në një situatë që nuk e keni dëshiruar, por nuk keni kontribuuar për të kundërtën, pasi vëllai nuk ka qenë i gatshëm të martohet me një femër të tillë, që ka krejtësisht koncept tjetër për jetën dhe familjen krahasuar me konceptin që mund ta ketë një djalë shqiptar i rëndom. Pra, ata janë dashur për sa kohë që nuk kanë pasur obligime të drejtpërdrejta njëri për tjetrin dhe derisa ajo nuk ka pasur kufizime si nuse e martuar. Kur djali ka filluar ta shfaq epërsinë e tij bashkëshortore, duke i kërkuar të drejtat e veta sipas rendit tonë, ajo ia ka kthyer me parimet dhe rendet e vendit ku është edukuar, andaj edhe ka plasur sherri.

Ndonëse magjia mund të jetë prezent, dhe një çift bashkëshortor shpeshherë është i ekspozuar të preket nga magjia sidomos fill pas martesës, por mendoj se në rastin tuaj kemi përplasje totale të koncepteve e jo thjesht magji. Pra, nusja është e paformuar për t’i perceptuar rendet e një bashkëshorteje tradicionale, kurse vëllai i juaj nuk ka çarë kokën se me çfarë tiparesh do të jetë nusja e tij, ajo vajzë që krahas “letrave” ka marrë edhe kulturën e vendit ku jeton.

Natyrisht se vëllai i juaj ka të drejtë të xhelozojë në nusen e tij, madje e ka obligim që ta ndalojë atë të dalë e zbuluar në rrugë, të takohet me meshkuj të tjerë e lëre më të shoqërohet me ta e të përqafohet, të dalë në diskoteka, të dalë diku pa lejen e tij etj., por a thua vallë a e ka mirëkuptimin e saj? Jo. A e ka mbështetjen e ligjeve të vendit ku jeton? Jo. A e ka përkrahjen e familjes së nuses? Jo. Atëherë nga t’ia fillon vëllai i juaj e të gjejë përkrahje?!

Mendoj se vëllai duhet të kërkojë nga familja e nuses së tij që së bashku ta dërgojnë te ndonjë hoxhë, për t’i lexuar Kur’an e për ta larguar dilemën eventuale të magjisë dhe në rast se është ajo shkaku, ta eliminojnë atë dhe ta fillojnë jetën për së mbari, në të kundërtën, nëse ka dinjitet të mashkullit duhet të ndahet me të, pavarësisht konsekuencave të mundshme të statusit të tij për qëndrim në atë vend. Si rrjedhojë e kësaj duhet të marrë një mësim shumë të madh e ta kuptojë se gruan që duhet ta gjejë duhet të jetë fetare dhe e moralshme, para se të jetë e pasur, e bukur etj. Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku