Pyetje:
Mallrat që unë zotëroj ndodhen në një magazinë që nuk është në pronësinë time. Në thelb, është një ofrues shërbimi të cilit i paguaj për të ruajtur dhe shpërndarë mallrat e mia kur dikush i blen ato online. Mund të ndaj fitimin me këtë ofrues shërbimi ose ta paguaj sipas marrëveshjes. Duke qenë se produkti im është në posedimin e tyre dhe ata e dërgojnë te klientët, a është kjo mënyrë në përputhje me Sheriatin sa i përket marrëdhënies ndërmjet meje dhe kompanisë shpërndarëse? Dhe a është i vlefshëm transaksioni ndërmjet meje dhe klientit?
Përgjigje:
Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve….
Sa i përket marrëveshjes tënde me kompaninë për të ruajtur mallrat në magazinën e saj dhe marrëveshjes për dërgimin e tyre përmes internetit, kjo është e lejuar, pasi konsiderohet si qira kundrejt një pagese të përcaktuar. Gjithashtu, është e lejuar që kompania të marrë një përqindje nga fitimi yt nga shitja e mallrave si pagesë, dhe kjo është ajo që përmende në pyetje kur the se kompania do të ndajë fitimin me ty. Megjithatë, para fillimit të marrëveshjes, ti dhe kompania duhet të bini dakord për njërën nga këto dy mënyra pagese, pra nuk duhet të lihet e hapur mundësia për të zgjedhur mes tyre më vonë.
Sa i përket transaksionit ndërmjet teje dhe klientit, ai është i lejuar, pasi nuk ka asgjë që e ndalon, përderisa ti shet mallra që tashmë i zotëron në momentin e shitjes.
Allahu e di më së miri.
Burimi: islamweb.net / Solli në gjuhën shqipe: pergjigje.net




