Pyetja:
Kam ndërtuar një objekt duke marrë kredi me kamatë në bank dhe kjo pasuri realisht është jo hallall, tash arsyet janë të mirënjohura, kur dihet se kjo është imponim nga situata e rëndë ekomonike që mbretëron në Kosovë, por tash a mundem unë që atë pjesë të të hollave të marra në kredi dhe që janë të investuara në shtëpinë time dhe me qëllim që të pastroj shtëpinë time nga kjo pasuri e fëlliqur t’i jap sadaka?
***
Përgjigjja:
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Unë po i përgjigjem kësaj pyetje, po duke sqaruar se në fillim të kësaj pyetje është shkruar një shembull. Pra, inshallah është diçka që është si hall, jo thjesht supozim se supozimet s’kanë të mbaruar e s’duhet ta lodhim veten shumë me to, duke lënë pas dore diçka që mund të jetë më e nevojshme ose aktuale.
Kamata siç kuptohet edhe nga pyetësi është e ndaluar dhe se nuk lejohet vetëm se atëherë kur bëhet domosdoshmëri apo nevoje adekuate që s’ka zgjidhje vetëm se me të. Kjo s’mund t’i lihet individëve të gjykojnë, por poseduesve të dijes fetare, ata japin fetua (gjykimin fetar) në lidhje me rastin në fjale duke e trajtuar si të veçantë dhe se me këtë fetua të veçante s’mund të punojnë të tjerët, duke supozuar se edhe unë jam si ai. Mundohu që mes teje dhe Allahut Ditën e Gjykimit të jetë dikush.
E atëherë le te ndalemi me pyetjen e parashtruar. Siç e thamë kamata është e ndaluar me Kuran Sunet, Ixhma dhe se është një prej dy mëkateve që Zoti ndër të gjithë mëkatet i ka shpallë luftë në krahasim me të tjera mëkate dhe mos harroni se ne shqiptarët kemi një përvojë të hidhur nga kjo, ”vitet 97″.
Allahu thotë në Kuran: ”Femen xhaehu meuidhatun min rabihi fenteha felehu ma selef ue emruhu alallah” që do të thotë: ”Kujt i vjen këshilla prej Zotit të tij e heq dorë prej saj, i falet çfarë ka kaluar prej kamatës dhe se çështja e tij për atë që ka kaluar është në Dore të Allahut”. D.m.th: nëse njeriu pendohet e heq dorë prej kamatës, fal Allahu të kaluarën. Pra, vëlla nëse kjo çështje ose kontratë tashmë është mbyllur dhe ti je penduar, s’ka pse më të mendosh për atë që ka kaluar, por pendim të sinqertë për gabimin e mëparshëm. Ama, nëse ti dëshiron ta vazhdosh këtë kontratë të nisur, ti je para dy alternativave: ose ke mundësi ta zgjidhesh atë si kontratë, e obligohesh ta prishësh, sepse kjo është prej domethënieve të pendimit të sinqertë.
Alternativa e dytë; të mos kesh mundësi sepse kushtet të rëndojnë më shumë nëse ti heq dorë. Në këtë rast Allahu s’e ngarkon njeriun më shumë se sa ka fuqi të bëjë.
Le të kthehemi edhe një herë tek pyetja:
Arsyet e mirënjohura me imponim, situata e rëndë ekonomike, që të gjitha këto që ti ke përmendur janë si puna e llastikut, varet sa e tërheq, se dikush mund ta quaj nevojë se jeton në një dhomë, dikush tjetër se jeton në dy dhoma, dikush tjetër se ka një vilë po e ka në katund e duhet të zbresë në qytet, etj. Pra, duhet një njeri kompetent ta ndajë këtë punë, jo t’i japim fetua vetes sonë, pse janë hoxhallarët atëherë?
Për pjesën e pyetjes suaj: “…a mundem unë që atë pjesë të të hollave të marra në kredi dhe që janë të investuara në shtëpinë time dhe me qëllim që të pastroj shtëpinë time nga kjo pasuri e fëlliqur t’i jap sadaka?”
Themi se ky si veprim është i lejuar po s’ka pse me këtë nijet, qëllim. Ç’ka kaluar është mbyllur e s’ka pse të mendojmë kështu. Do ta bësh për shpirt, si i thonë, s’ka problem, po jo si diçka e detyruar.
Ç’ka kaluar, ka kaluar dhe është mbyllur tashmë. Ajo që ka kaluar me teube e pendim të sinqertë. Allahu e di më së miri.
Nuk më duket normale që për fenë tonë të themi kush të dojë apo të mundet të përgjigjet. Kjo tregon se gjëja jo më e rëndësishme në jetën tonë është feja, për vetë faktin se si drejtohemi.
Po të ishte puna për një biznes apo shkollë, apo mjekësi, a do thoshim kështu? Çështjeve fetare duhet t’i japim më shumë rëndësi dhe prioritet, sepse aty është jeta e vërtetë për besimtarin dhe sekreti i lumturisë së dy botëve.
Imam dr. Ahmed Kalaja