Pyetja:

Jam motër muslimane e mbuluar dhe jam në shkollë të mesme, desha të di se a lejohet të lexoj me zë të lartë përpara nxënësve të klasës kur më thotë profesori, duke ditur se zëri i vajzës është avret?

***

Përgjigja:

Sa i përket zërit të femrës se është avret apo jo, ka mendime të ndryshme të dijetarëve, dhe marrë parasysh argumentet e shumta dhe të fuqishme, zëri i femrës nuk mund të konsiderohet avret, pasi gratë e sahabëve shkonin tek i Dërguari i Allahut ﷺ, dhe konsultoheshin e ankoheshin lidhur me jetën e tyre bashkëshortore etj. kështu vazhdoi çështja edhe me kalifët pas vdekjes së të Dërguarit ﷺ. Pastaj ato jepnin selam, e kthenin selamin etj., argumente që mund të dëshmojnë se zëri i femrës nuk është avret. Përndryshe, nëse konstatimi i juaj se zëri i femrës është avret është i saktë, atëherë pyetja e juaj si intelektuale do të ishte shumë a pakuptimtë, pasi në atë rast ju do pyetni se a bën të zbulohet avreti.

Kështu, ne themi se zëri i femrës nuk është avret, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, andaj leximi i juaj me zë para nxënësve lejohet me këto kushte:

– të kërkohet prej jush të lexoni për vlerësim e të ngjashme e të mos jetë insistim dhe kërkesë e juaja leximi para nxënësve,

– të mos jetë ndonjë shfaqje publike apo recital,

– të mos e thyeni zërin dhe mos ta shndërroni atë në zë ngacmues për të tjerët, por të lexoni drejt, pa zbukurime femërore të zërit, ashtu sikur edhe të trupit. Allahu thotë:
O gratë e të Dërguarit! Ju nuk jeni si gratë e tjera. Nëse i frikësoheni Allahut, mos flisni me përkëdheli, që të mos ju dëshirojë ai që ka zemër epshore, por flisni drejt dhe në mënyrë të ndershme!” (Ahzab: 32)

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku