Pyetja:
A lejohet të varroset i vdekuri pas akshamit?
***
Përgjigjja:
Po lejohet, askush nuk ka thënë apo ndaluar të varroset i vdekuri pas akshamit. Ajo që ndalohet është që të varroset i vdekuri gjatë perëndimit të diellit. Në hadith ka ardhur se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar që në tri kohë të falet namazi dhe të varrosen të vdekurit: kur është duke lindur dielli, kur është dielli në zenit dhe kur është duke perënduar. Domethënë ne në këto tre kohë nuk bën të falemi as të varrosim të vdekurit tanë.
Pra bën që të varroset i vdekuri pas namazit të ikindisë, e edhe në afërsi të namazit të akshamit por jo gjatë perëndimit të diellit. Shembull lejohet të varroset gjysëm ore para akshamit, por duhet të ngutemi ta mbulojmë me dhe ngase nuk bën të na zërë namazi i akshamit. E më e mira do të ishte të pritej të falej namazi i akshamit dhe pastaj të varroset kështu kemi kohë deri në mëngjes.
Tek ne nuk është traditë kjo, mirëpo në shumicën e vendeve islame (ndoshta jo të gjitha por shumica që kam pasur rastin të i vizitojë) i varrosin të vdekurit e tyre edhe gjatë natës, shembull në Mekë dhe Medinë ku pothuajse më së shumti vdesin njerëz dhe varrosen në një vend, ngase ka tërë kohën musafirë (të huaj) i varrosin edhe natën. Pas faljes së namazit të akshamit, me drita/fenera i varrosin të vdekurit. Ndonëse tani edhe ambienti i varrezave në këto vende është rregulluar me ndriqim, por para kësaj me fenerë janë varrosur të vdekurit pas akshamit e pas jacisë. Othmani (Allahu qoftë i kënaqur me të), halifja i tretë nga 4 halifetë e drejtë, është varrosur natën para sabahut, sahabët e kanë varrosur atë natën.
Dhe nuk kemi dëgjuar të ketë thënë dikush se sahabët kanë vepruar gabimisht që e kanë varrosur natën Othmanin (Allahu qoftë i kënaqur me të). Nuk prishë punë të varroset i vdekuri as natën, as ditën me përjashtim të atyre tre kohëve që i përmendëm më parë.
Dr. Shefqet Krasniqi
Comments are closed.