Gjykimi mbi vrasjen e qenve që mbysin bagëtinë:

Qentë që sulmojnë dhe hanë bagëtinë konsiderohen grabitqarë andaj ata duhen vrarë për të evituar rrezikun dhe dëmin që ata paraqesin. Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka përcjellë se Profeti (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Katër krijesa janë të gjitha të dëmshme. Ato vriten në vendet e pashenjta dhe në vendet e shenjta; fajkoi, korbi, miu dhe qeni grabitqar” (Buhariu dhe Muslimi)

Dijetarët e komisionit të përhershëm kanë thënë: “Nuk ka asgjë të keqe në vrasjen e qenit të dëmshëm që është grabitqar ose i tërbuar duke bërë kujdes që të mos vriten qentë e padëmshëm!“ (Fetava Lexhneh Daimeh 26/201)

Janë pyetur dijetarët e komisionit të përhershëm: Një ditë hasa në disa qen që kishin sulmuar një tufë delesh. Unë i vrava ata dhe e shpëtova tufën e deleve. Më pas unë, edhe pse nuk e dija se kujt i përkisnin ato dele, i mora dhe i futa në një vend të sigurt aty pranë dhe i lashë aty!

Përgjigja e tyre ishte: Nëse është ashtu si po thua, atëherë ti ke bërë një punë të mirë. Ti nuk ke bërë mëkat sepse ti ke shpëtuar pronën e vëllaut tënd nga shkatërrimi. Për këtë veprim, ti do të shpërblehesh nga Allahu, inshaAllah! (Fetava Lexhneh Daimeh 26/205)

Përktheu Rexhep Milaqi
/udhaebesimtareve.com/