Pyetja: Kam dëgjuar që kush fal 4 rekate para drekës dhe 4 mbas drekës ju bëhet haram hyrja në xhehnem, cilat janë argumentet ?
Përgjigjja: Po, është e preferuar (mustehab) që të falen katër rekate para namazit të drekës dhe katër pas saj.
Transmetojnë Nesaiu, nr. 1817,dhe Tirmidhiu, nr. 428, prej Umu Habibes, radijallahu anha, se i Dërguari, salallahu alejhi we selem, ka thënë: “Zjarri i Xhehenemit nuk e prek atë person që i falë katër rekate para namazit të drekës dhe katër pas saj.” Ky ishte teksti i Nesaiut.
Kurse, teksti i hadithit te Tirmidhiu është: “Allahu ia ka ndaluar Zjarrit të Xhehenemit ta prek atë person që i kushton kujdes faljes së katër rekateve para namazit të drekës dhe katër pas saj.” Shejh Albani,Allahu e mëshiroftë, këtë hadith hadith e vlerëson si sahih(autentik).
Këto rekate nuk janë diçka tjetër prej rekateve që konsiderohen si rekate të rregullta (suneh ratibeh), përkundrazi ato janë prej tyre. Mirëpo, ajo që konfirmohet është se rekatet të cilat nuk është mirë të lihen pa u falur në asnjë gjendje janë katër rekate para namazit të drekës dhe dy pas saj. Ndërsa, nëse dikush i fal katër rekate pas saj, duke punuar me këtë hadith, atëherë ai ia ka qëlluar sunetit dhe për të shpresohet hajr (mirësi) e madhe. Por, nëse kufizohet me vetëm dy rekate, atëherë edhe kjo i mjafton.
hoxhë Lulzim Përçuku




