Përshëndetje, desha t’ju pyes për një emër djemsh: çfarë kuptimi ka emri Elias?

A janë të njëjtë emrat Elias dhe Eliyah?

Përgjigja:

Fillimisht, duhet ta kemi parasysh se fëmijët tanë duhet t’i emërtojmë me emra të mirë – emra që kanë kuptim të bukur, dhe që nuk na vjen ngushtë për ta, as në këtë botë e as në Ditën e Gjykimit. Atë ditë, kur të thirremi me ato emra, të ndihemi krenarë, e jo të ulim kokën. Kjo është shumë me rëndësi, sepse ka raste kur prindërve u ka pëlqyer një emër, por fëmija kur rritet nuk e pëlqen, sepse emri mund të jetë pa kuptim ose i pazakonshëm, dhe njerëzit fillojnë ta bullizojnë. Fëmija ndihet keq, sepse emri i tij nuk është as shqip, as arabisht, dhe nuk ka kuptim të qartë.

Nëse dikush të kritikon për emrat arab dhe thotë se “nuk po i marrim vesh”, mund të arsyetohesh shumë lehtë. Për shembull, nëse i ke lënë emrin “Hasan”, mund të thuash se e ka pasur gjyshi ose stërgjyshi, ose se është emri i nipit të Pejgamberit Muhamed (alejhi selam). Po ashtu me emrin “Ibrahim”, mund të thuash se e ka pasur dikush në familje ose se është emër i një pejgamberi të përmendur në Kuran.

Por kur i ke vënë një emër që nuk është as shqip e as arabisht, dhe dikush të pyet për të, e vetmja përgjigje mbetet: “Vetëm se e dëgjuam dhe na pëlqeu.” Kjo nuk është një arsye e fortë për zgjedhjen e emrit të fëmijës.

Sa i përket dy emrave “Elias” dhe “Elia”:

“Elia” nuk është emër në gjuhën shqipe. Në arabisht, më lidhet me një fjalë të përafërt: “elie” – që përdoret për të përshkruar një pjesë të trupit që fryhet, si për shembull ndonjë enjtje në këmbë. Prandaj, nuk preferohet që ky emër t’u vihet fëmijëve.

Ndërsa emri “Elias”, forma e tij origjinale është “Ilias”, që është emri i një pejgamberi të përmendur në Kuran. Emri “Elias” në vetvete nuk ka ndonjë kuptim në arabisht, por është formë tjetër e “Ilias”.

Hoxhë Dr. Rasim Haxha