Përgjigjja

Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve…

Loja PUBG sipas asaj që kemi mësuar rreth saj bazohet kryesisht në ndjekje, gjuajtje dhe vrasje virtuale.

Ajo mund të luhet individualisht ose si pjesë e një ekipi dhe përfshin komunikim me zë dhe me tekst me lojtarë të panjohur.

Ajo përmban blerje brenda lojës, si veshje, pamje të personazheve (skins), arka (crates) dhe monedhë virtuale.

Ajo nuk i jep lojtarit ndonjë përfitim financiar në kuptimin e zakonshëm; përkundrazi, paratë paguhen kryesisht për veçori kozmetike ose sezonale.

Për disa njerëz, ajo mund të shndërrohet në varësi ose në humbje të madhe të kohës, duke ndikuar në studimet, punën, gjumin, si dhe në detyrimet familjare dhe fetare.

Ndonjëherë, bisedat që shoqërojnë lojën përfshijnë sharje, betime, dëgjimin e fjalëve të ndaluara dhe komunikim të pakontrolluar.

Përveç këtyre shqetësimeve që lidhen me vetë lojën, zhytja e tepërt në të shpesh shoqërohet me neglizhimin e namazit ose të detyrimeve të tjera, përfshirjen në baste me para, apo blerjen e arkave me përmbajtje të panjohur, në një mënyrë që i ngjan kumarit.

Nëse kjo është gjendja e saj, atëherë luajtja e saj dhe humbja e kohës në të është e ndaluar.

Muslimani duhet ta mbushë kohën e tij me gjëra që i sjellin dobi në fenë dhe në jetën e tij të kësaj bote, si dhe duhet të ruhet që të mos bëhet rob i pajisjeve të argëtimit dhe lojërave të kota që ia shpërdorojnë kohën. Njeriu do të japë llogari për kohën e tij para Allahut në Ditën e Gjykimit, siç thuhet në hadith:

“Këmbët e robit nuk do të lëvizin në Ditën e Gjykimit derisa të pyetet për jetën e tij dhe se si e ka kaluar atë…”

E transmeton Et-Tirmidhiu, i cili ka thënë se hadithi është hasen sahih (i mirë dhe autentik).

Së fundmi, humbja e kohës është një formë e ndëshkimit hyjnor për robin, dhe ajo është e rëndë, sepse e shkëput muslimanin nga rruga që çon drejt kënaqësisë së Allahut të Lartësuar dhe suksesit në Ahiret.

Ibnul-Kajjimi رحمه الله ka thënë:

“Humbja e kohës është më e keqe(rëndë) se vdekja, sepse humbja e kohës të shkëput nga Allahu dhe nga Ahireti, ndërsa vdekja të shkëput vetëm nga kjo botë dhe njerëzit e saj.”

(Fund i citimit, nga “El-Fevaid”)

Allahu e di më së miri.

 

Burimi: https://www.islamweb.net/  Solli ne gjuhen shqipe pergjigje.net