Pyetja:
Cila është grada më e lartë në xhenet dhe kush do ta arrijë atë gradë?
***
Përgjigja:
Së pari, besimtari duhet t’i lutet Allahut të Madhërishëm që ta bëjë prej xhenetlive, por duke e ditur se hyrja në Xhenet ka kushte, gjegjësisht çelësi i derës së Xhenetit është besimi dhe veprat e mira. Normalisht pa mëshirën e Allahut askush nuk mund të hyjë në Xhenet, por prej mirësive të Allahut ndaj krijesave është edhe ajo se i ka obliguar me gjëra të cilat nëse zbatohen në mënyrë korrekte dhe të drejtë të çojnë në Xhenet.
Më pas, besimtari duhet ta dijë se në Xhenet ka nivele të ndryshme, e ambiciet e tij duhet të jenë që të arrijë nivele sa më të larta, gjë që arrihet po ashtu pas mëshirës së Allahut, me vepra të sinqerta dhe me mund në çështjet fetare.
Kur është në pyetje pozita më e lartë, këtë e ka sqaruar Muhamedi ﷺ duke pohuar se kjo pozitë është “vesilja”, e kjo pozitë është ekskluzivisht vetëm për një njeri, e ky është Muhamedi ﷺ. Është transmetuar prej Ebu Hurejres r.a. se Muhamedi ﷺ ka thënë: ”Luteni Allahun që të më dhurojë mua el-Vesilen, e cila është pozita më e lartë në Xhenet të cilën nuk e arrinë përveçse një njeri, e unë shpresoj të jem ai njeri”. (Hadithin e ka shënuar Tirmidhiju). Ndërkaq në transmetimin e Ebu Sei’d el-Hudrijut qëndron se Pejgamberi ﷺ ka thënë: ”el-Vesile është një shkallë te Allahu mbi të cilën nuk ka asnjë shkallë, prandaj luteni Allahun që të ma dhuroj mua atë në mesin e krijesave në Ditën e Kijametit”. [1]
Për këtë, pas ezanit, në lutjen që bëhet, kërkohet prej Allahut të Madhërishëm që Muhamedit ﷺ t’ia jep këtë pozitë më të lartë në Xhenet.
Allahu e di më së miri.
—————————
[1] Ibn Mirdevejhi