Vizita e varrezave nga femrat

Cili është mendimi i saktë në lidhje me të vizituarit e varrezave nga ana e grave dhe cili është dallimi ndërmjet thënies zev-varat dhe zairat?

Përgjigje:Mendimi i saktë është lejimi i të vizituarit të varrezave nga gratë sepse siç transmetohet në “Sahihun” e Muslimit nga Burejdeh, Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ju kisha ndaluar nga vizita e varreve, por tani vizitojini ato.” Aishja Allahu qoftë i kënaqur me të tha se Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “O i Dërguari i Allahut, nëse unë shkoj tek varrezat, çfarë duhet të them?” Tha : “Thuaj: Eselamu alejkum dara kavmin muminin….” Pra, i mësoi lutjen e vizitës së varrezave. Gjithashtu është vërtetuar se Aishja Allahu qoftë i kënaqur me të ka vizituar varrin e vëllait të saj, Abdurrahmanit.

Siç dihet, parimi bazë në dispozitat fetare është barazia ndërmjet burrave dhe grave, përveç atëherë kur ka ndonjë argument specifik që e dallon njërën palë nga tjetra me dispozitë të veçantë. Për sa i përket hadithit: “Allahu i mallkoftë vizitueset (zev-varat) e varreve”, ai mund të jetë thënë para se të lejohej vizita e varreve, duke marrë si argument hadithin e mësipërm: “Ju kisha ndaluar nga vizita e varreve, por tani vizitojini ato.” Ose mund të ketë për qëllim ato vizitore që thonë fjalë të ndaluara apo bëjnë veprime të ndaluara, pra shfaqin zemërim ndaj kaderit, apo siç ndodh në vizitat e varreve të personaliteteve, si p.sh. tek varri i Husejnit apo i Bedeviut, apo i Ibën Ulvanit apo tek varri në Tuhameh etj., ku përzihen burrat me gratë dhe ndoshta kryejnë dhe imoralitet. Por parimisht lejohet që gratë t`i vizitojnë varret dhe të flasin vetëm fjalë të mira, siç i mësoi ato Profeti sal-Allahu alejhi ve sel-lem . Gjithashtu, hadithi “vizitojini varret sepse ju përkujtojnë ahiretin” përfshin edhe burrat edhe gratë, sepse edhe gratë kanë nevojë që të kujtojnë botën tjetër.

Këtë mendim ka zgjedhur Shevkani në librin “Nejlul Evtar”. Termi “zairat” është emër foljor që tregon thjesht ndodhinë e veprimit, ndërsa termi “zev-varat” tregon shkallën sipërore të mbiemrit, është formë superlative.

Për sa i përket hadithit: “Allahu i mallkoftë ato gra që vizitojnë (zairat) varret dhe ata që i kthejnë varret në faltore dhe ndezin kandila atje”, ai transmetohet nëpërmjet Ebu Salihut, i cili është transmetues i dobët, por megjithatë është hadithi tjetër i Ebu Hurejrës dhe i Hasanit që janë të vlefshëm për argumentim: “Allahu i mallkoftë vizitueset (zairat) e varreve” dhe “ Allahu i mallkoftë vizitueset (zev-varat) e varreve”, megjithatë kuptimi i tyre ka të bëjë me ato gra që thonë fjalë të gabuara apo bëjnë veprime të palejuara.

Mukbil ibën Hadij el Vadi`ij “Ixhabetus-sail an ehemil mesail”, fq. 554-555
Përshtati: Shuajb Rexha

nga revista: Dëlirje & Edukim