NEGLIZHENCA (GAFLETI)

Gafletin (الغفلة) dijetarët e kanë përkufizuar si: Shkujdesja e njeriut ndaj gjërave të cilat i bëjnë dobi dhe e ngrisin tek Zoti i tij.

Gafleti është prej sëmundjeve më të rrëzikshme të zemrës, e cila i godet pothuajse të gjithë njerëzit, përveç atij që Allahu e mëshiron, dikë në dozë më të madhe e dikë në dozë më të vogël.

Thotë Allahu i Lartesuar në Kur’an:

"Njerëzve u është afruar koha e llogarisë së tyre, e ata të hutuar në pakujdesi, nuk përgatiten fare për të." (el Enbija, 1) 

Meqë gafleti është cilësi e mangët, Allahu e ka pastruar Veten nga kjo cilësi në disa ajete në Kur’an, ku në njërin prej tyre thotë:

"All-llahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju". (el Bekare, 74) 

Allahu na ka urdhëruar që mos të bëhemi nga të shkujdesurit, neglizhentët duke thënë:

"Ti përmende Zotin tënd në vete (heshtas), me respekt e me dro, jo me shprehje të larta, (përmende) në mëngjes e në mbrëmje dhe mos u bë prej atyre që janë neglizhentë." (el A’raf, 205) 

Përveç kësaj, Ai gjithashtu na ka ndaluar që mos t’i shoqërojmë të shkujdesurit, sepse ata tërheqin në shkujdesjen e tyre. Thotë Allahu i Lartësuar:

 "... dhe mos iu bind atij që ia bëmë zemrën e tij neglizhente ndaj përkujtimit ndaj Nesh"(el Kehf, 28)                                                             

Çdoherë që është përmendur gafleti në Kur’an, është përmendur si diçka e nënçmuar dhe janë nënçmuar bartësit e kësaj sëmundje përveçse në një rasti, aty ka ardhur kjo fjalë si diçka e lavdëruar.  Thotë Allahu i Lartësuar:

"Vërtet, ata që akuzojnë gratë e ndershme, të pafajshme  (el gafilaat), besimtare janë të mallkuar në këtë botë dhe në botën tjetër dhe ata i pret një dënim shumë i madh.” (en Nur, 23)                                                                                    

Këtu qëllimi me shprehjen “el-gafilaat” është shkujdesja apo mosinteresimi ndaj amoralitetit, gjë me të cilën janë cilësuar gratë e devotshme.

Si rrjedhojë, dijetarët gafletin e kanë ndarë në dy lloje; në gaflet të lavdëruar dhe të nënçmuar.

Gafleti i lavdëruar është ai ndaj mëkateve, gjërave të urrejtura dhe ndaj çdo gjëje të cilën Allahu nuk e don dhe nuk është i kënaqur me të.

Gafleti i nënçmuar është gafleti ndaj Allahut, bindjes ndaj Tij, përmendjes së Tij, pastaj gafleti ndaj Ahiretit, llogarisë dhe shpërblimit, gjë e cila padyshim është shkatërruese për zemrën.

Llojet e gafletit të nënçmuar

  • Gafleti i cili shfaqet rrallë – Ky lloj gafleti është i lehtë dhe i shkurt. Në të mund të bien njerëzit e mire dhe të devotshëm, ata shpejt pendohen dhe i kthehen gjendjes së tyre stabile (joneglizhente)
  • Gafleti i shpeshtë (i përsëritur) – Në këtë lloj të gafletit jetojnë muslimanet të cilët janë mëkatarët dhe të shthurur. Ata herë qëndrojnë gjatë në këtë gaflet e herë dalin prej kësaj gjendje. Këtë grup të muslimanëve duhet këshilluar që të hynë në fe tërsishtë dhe t’i kapen rrugës së drejtë.
  • Gafleti i plotë  – Në këtë lloj të gafletit jetojnë jobesimtarët. Ata janë në gaflet të plotë ndaj Allahut dhe Ahiretit, dhe mund të nxirren duke i thirrur në Islam.

Shkaqet të cilat shpien në gaflet 

  • Dhënia pas kënaqësive të dunjasë
  • Mosndjesia e mëkateve (mosndjenja e keqardhjes gjatë bërjes së mëkateve )
  • Të nxituarit në përmbushjen e rehatisë trupore
  • Pasimi i epshit dhe egos
  • Të angazhuarit vetëm me punë dhe kërkim të rrizkut
  • Përzierja me njerëz të cilët janë në gaflet
  • Argëtimet dhe rekracionet e shpeshta
  • Renia e shpeshtë në mubahate (vepra te lejuara për te cilat nuk ka as dënim e as shpërblim)

Ilaçet për shërimin e gafletit

  • Përmendja e Allahut
  • Duaja për  largimin  e kësaj sëmundje
  • Namazi i natës
  • Vizita e varrezave

Ndëshkimet si pasojë e gafletit

  • Privimi nga të medituarit, kuptuarit dhe të pêrfituarit nga ajetet e Kuranit
  • Privimi nga mëshira e Allahut
  • Mospranimi i lutjeve (duave)
  • Mbizotërimi i shejtanit tek gafili
  • Pasimi i gafleteve njeri pas tjetrit
  • Përfundimi i keq
  • Humbja në Ahiret
  • Hyrja në Zjarr .

Rizgjimi.com Përktheu: Eranda Kosumi