Pyetja:

Unë i agjëroj ditët e hëna dhe të enjte, si dhe netët e mëdha. Cili është shpërblimi për agjërimin e tyre?

 ***

Përgjigjja:

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

S’do mend se agjërimi është ndër veprat vullnetare më të çmueshme. Pejgamberi ﷺ, duke transmetuar Fjalët e Zotit të tij, ka thënë: “Allahu ka thënë: Gjërat më të dashura për Mua me të cilat robi më afrohet janë ato që ia kam obliguar. Ai vazhdon të më afrohet me vepra vullnetare derisa ta dua, e, kur ta dua, i bëhem dëgjimi me të cilin dëgjon, shikimi me të cilin sheh, dora me të cilën prek dhe këmba me të cilën ecën.”[1] (Hadithi vazhdon). Pra, agjërimi është vepër me të cilën robi e fiton kënaqësinë e Allahut dhe për agjërimin Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Betohem në Atë, në Dorën e Cilit është shpirti im, se era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu i Madhëruar sesa era e parfumit. (Allahu thotë:) Ai e lë ushqimin, pijen dhe epshin e vet për Mua, agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të, ndërsa e mira shpërblehet dhjetëfish.”[2] Pastaj, Pejgamberi ﷺ po ashtu na ka treguar se njëra prej tetë dyerve të Xhenetit është dera e agjëruesve e cila quhet Rejan, përmes së cilës futen vetëm agjëruesit.

Në hadithin të cilin e shënon Muslimi[3] nga Ebu Katade Ensariu, tregohet se: Kur Pejgamberi ﷺ u pyet për agjërimin e tërë kohës (çdo ditë), tha: “(Personi i tillë) As nuk ka agjëruar, e as nuk ka ngrënë.” E kur u pyet për agjërimin e dy ditëve dhe ngrënien e një dite, tha: “E kush mundet kështu?” Kur u pyet për agjërimin e një dite dhe ngrënien e dy ditëve, Pejgamberi ﷺ tha: “Ah sikur Allahu të na forconte për këtë.” E kur u pyet për agjërimin e një dite dhe ngrënien e një dite (një ditë po, një jo), Pejgamberi ﷺ tha: “Ky është agjërimi i vëllait tim (pejgamberit) Davudit .” Kur u pyet për agjërimin e ditës së hënë, Pejgamberi ﷺ tha: “Në këtë ditë kam lindur dhe në këtë ditë jam dërguar apo më është shpallur mua.” Pastaj vazhdoi: “Agjërimi i tri ditëve për çdo muaj, si dhe Ramazani deri në Ramazan, llogaritet agjërim i tërë kohës.” (Hadithi vazhdon).

Kurse, sa i përket agjërimit të ditës së enjte, edhe për të kemi hadithe të tjera të mira, mirëpo agjërimi i ditës së hënë është i mbështetur me argumente më të sakta sesa agjërimi i ditës së enjte, ndonëse që të dyja është e preferuar të agjërohen.

Kur jemi te netët e mëdha, në Islam nuk kemi argumente se ndonjë natë duhet të shquhet dhe të veçohet nga netët tjera, përpos natës së Kadrit, e cila ndodhet në njërën prej netëve tek të dhjetëshes së fundit të Ramazanit, e që në këtë ditë, sido që të jetë ne jemi agjërueshëm meqenëse është muaji i agjërimit. Kurse veçimi i ndonjë nate tjetër që në disa kalendarë e shohim të shënuar me emra të veçantë, si nata e madhe e Ragaibit, e emërtime të këtilla, këto nuk kanë asnjë bazë në Islam dhe janë risi (bidate) të shpikura andaj nuk bën t’i veçojmë me agjërim kurrsesi.

Allahu e di më së miri!

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin ﷺ, familjen dhe shokët e tij!

Përgatiti: Hekuran Helshani

Përgjigje.net

___________________________

[1] “Dyzet hadithet e Neveviut,” hadithi nr. 38.

[2] Buhariu, 1894.

[3] Muslimi, 2747 (1162)