[ad_1]
Nga Halef bin Muhamed el Halef
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja, begatitë dhe mirësitë e Tij qofshin mbi të dërguarin e Vet, Muhamedin, mbi shokët dhe familjen e vet. Në terminologjinë gjuhësore, Akika do të thotë presësh diçka, ndërsa në terminologjinë islame Akika do të thotë therja e një kurbani në shenjë falënderimi për Allahun e Lartësuar, që i dhuroi dikujt një fëmijë, qoftë mashkull apo femër. Ndryshe Akika quhet edhe Tetimeh (plotësuese), sepse ajo plotëson edukatën e të porsalindurit.
Dispozita e Akikas:
Akika është një sunet i fortë që rëndon mbi babain. Në Sahihun e Buhariut shënohet hadithi i përcjellë nga Selman bin Amir r.a. që thotë: “Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut a.s. të thotë: “Fëmijës i takon një Akika, prandaj derdhi gjak për të dhe largojani lëndimin.”
Salihu, i biri i imam Ahmedit, thotë: I thashë babait tim: “Nëse burrit i lind një fëmijë dhe nuk ka mundësi të bëjë Akika për të, a të pëlqen më tëpër që ai të marrë borxh dhe të bëjë Akika për të apo ta vonojë derisa t’i vijë lehtësimi?” Imam Ahmedi u përgjigj: “Gjëja më e rëndë që kam dëgjuar për Akikan është hadithi i Hasan bin Sumres, që përcjell nga i dërguari i Allahut a.s. se ka thënë: “Çdo fëmijë është peng i Akikës së vet.” Do të doja që ai të merrte borxh dhe Allahu t’ia zëvendësonte borxhin që ka marrë, sepse ai ringjallur një sunet prej suneteve të të dërguarit të Allahut a.s. dhe ka ndjekur shpalljen që Profeti a.s. ai ka sjellë.”
Përsa i përket atij që ka mundësi për ta bërë një Akika, atëherë është më parësore, më e mirë dhe më e plotë që ai ta bëjë dhe nëse nuk i ka mundësitë, atëherë ai nuk e ka për detyrim, duke u nisur nga thënia e Allahut të Lartësuar: “Allahu nuk e ngarkon dikë vetëm aq sa ka mundësinë” dhe thënia e Tij: “Allahu nuk ju zë ngushtë juve në këtë fe.” Gjithashtu edhe duke u nisur prej hadithit të Profetit a.s. që e përcjell Sumre: “Çdo fëmijë është peng i Akikas së vet. Për të therret në ditën e shtatë, i rruhet koka dhe i vihet emri.” E përcjelle Ahmedi dhe të katërshja, ndërsa Tirmidhiu e ka saktësuar. Përsa i përket shprehjes: “Çdo fëmijë është peng i Akikas së vet” dijetarët kanë mbajtur katër qëndrime:
1- Ai është i bllokuar dhe nuk mund të niset përpara dhe të përparojë
2- Ai është i bllokuar dhe nuk do t’i jepet e drejta e shefatit (ndërmjetësimi) për prindërit e tij derisa babai i vet të bëjë Akikan për të apo ta bëjë dikush tjetër në vend të tij.
3- Allahu do ta bëjë Akikan të pandarë prej fëmijës, tamam si një peng që nuk largohet prej njeriut.
Imam Ahmedi thotë se kuptimi i këtij hadithi është se nëse vdes një fëmijë që nuk është bërë Akika për të, ai nuk do të ndërmjetësojë për prindërit e vet.
Sasia e Akikas:
Akika e djalit është dy dele apo desh, ndërsa për vajzën është një e vetme. I dërguari i Allahut a.s. thotë: “Kujt i lind një fëmijë dhe dëshiron të therë kurban për të, le të therë dy dele të përafërta për të dhe një të tillë për vajzën.” E përcjell Ebu Daudi, Nesaiu nga Ibn Omeri dhe Albani thotë se është i saktë.
Dy kurbanet duhet të kenë moshë, madhësi, ngjashmëri dhe shëndoshje të përafërt. Urtësia e kësaj qëndron në faktin që asnjëra prej tyre të mos jetë më e mirë se tjetra, duke e lënë më të keqen pas dore. Për këtë arsye legjislacioni islam ka parapëlqyer që të dyja delet të jenë të përafërta, pra të mbulojnë mangësitë e njera-tjetrës. Nëse dikush nuk gjen veçse një dele, atëherë ajo mjafton për të përmbushur qëllimin, por nëse Allahu ia ka dhënë të gjitha mundësitë, atëherë dy të tilla është më mirë.
Karakteristikat e kafshës që therret për Akika:
Kafshët që mund të therren për Akika janë: Deveja pesëvjeçare, lopa dyvjeçare, dhia njëvjeçare, delja ose dashi gjashtëmuajsh. Delja për Akika është më e mirë se lopa dhe deveja, sepse me këto kafshë është përcjellë edhe suneti profetik. Nga Ibn Abasi r.a. përcillet se i dërguari i Allahut a.s. ka bërë Akika për Hasanin dhe Hysejnin nga një dash për secilin.” E përcjell Ebu Daudi.
Koha e Akikas:
Sipas sunetit, koha e therrjes së Akika është që në ditën e shtatë pas lindjes së foshjes. Dijetarët thonë se në kalon kjo kohë, atëherë mundet në ditën e katërmbëdhjetë dhe nëse nuk arrihet në këtë ditë, atëherë në ditën e njëzet e njëtë. Nëse nuk arrihet as kjo ditë, atëherë mundet në çdo ditë tjetër që mund të hahet. Akika mund të dhurohet, të jepet sadeka dhe nëse personi dëshiron mund të thërrasë shokët, të afërmit dhe fqinjët, që të marrin pjesë në të. Nëse fëmija lind të shtunën, atëherë Akika bëhet të xhumanë e ardhshme dhe nëse lind të xhumanë, atëherë të enjtën e ardhshme, pra një ditë para ditës së lindjes. Urtësia e bërjes së Akikas një javë pas lindjes qëndron në faktin se me që foshnja e kaloi një javë të tërë i gjallë, atëherë në shenjë optimizmi kjo Akikë simbolizon jetën e gjatë. Në momentet e therjes së kurbanin nuk është kusht që të përmendet me gojë se kjo është për Akika, por mjafton që personi ta bëjë nijetin me zemër dhe kusht mbetet vetëm përmendja e Allahut gjatë therjes. Akika bën pjesë në dispozitat që i përkasin kurbanit, prandaj prej saj mund të hahet, të jepet sadeka apo të dhurohet. Akika bëhet në kuadrin e falënderimit të Allahut, prandaj ajo hahet, por edhe mund të ruhet duke mos e shpërndarë. Më e mira, më plota dhe më e hijshme është që ajo t’i shpëndahet të varfërve dhe shokëve, qoftë edhe pak. Gjithashtu prej kushteve të Akikas është që kafsha të mos të ketë të meta fizike, ashtu siç është kusht edhe tek kurbani.
Disa çështje që lidhen me Akikan:
1- Një pjesë e dijetarëve janë shprehur se kafshës së Akikas nuk i thyhen kockat, duke u argumentuar se kjo bëhet në shenjë optimizmi për shëndetin e fëmijës. Ky qëndrim nuk ka asnjë argument prej fjalës së Allahut a.s. dhe as prej fjalës së Profetit a.s. Për këtë arsye nuk ka asgjë të keqe nëse kafshës se therur i thyhen kockat.
2- Bërja e Akikës për veten në moshë të madhe, nëse babai nuk i ka patur mundësitë ta bënte për fëmijën e vet. Kjo është nuk është e vlefshme, për arsye se obligimet bien nëse personi i ngarkuar nuk i ka mundësitë që ta realizojë detyrimin e vet. Por nëse Akika është lënë për shkak të neglizhencës së babait, atëherë personi mund të bëjë Akika për veten e tij. Ibn Serini thotë: “Po ta dija që babai im nuk ka bërë Akika për mua, do ta kisha bërë një të tillë për veten time.”
3- A lejohet t’i jepet jobesimtarit një pjesa nga Akika?
Jobesimtarit mund t’i jepet sadeka një pjesë e Akikas nëse muslimanët nuk kanë asnjë dëm apo lëndim prej tij. Argument për këtë është thënia e Allahut të Lartësuar: “Allahu nuk ju ka ndaluar ju, që për ata që nuk ju kanë luftuar dhe as nuk ju kanë nxjerrë nga shtëpitë tuaja, të bëni bamirësi dhe të tregoheni të drejtë me ta.” (Mumtehine, 8).
4- A ka Akika për foshnjen e dalë? Nëse fëmija që ka dalë nga barku i nënës para kohe është në muajin e pestë dhe më shumë, atij i ka hyrë shpirti, i vihet një emër dhe theret Akika për të. Kjo është më e mirë, por nuk është e detyrueshme. Nëse fëmija i dalë është në muajin e katër dhe më poshtë, atëherë atij nuk i vihet emër dhe as nuk falet namaz xhenaze për të. Ai mund të varroset në çdo vend dhe nuk theret Akika për të.
Disa dobi të Akikas:
1- Në ditën e shatë duhet të rruhet koka e djalit dhe me peshën e flokëve të tij në argjend të jepet sadeka. Kjo mund të bëhet në rast se gjendet një berber që mund të rruajë kokën e fëmijës dhe nëse nuk gjendet dhe personi dëshiron të japë sadeka sa pesha e flokëve të fëmijës në argjënd, atëherë nuk është e nevojshme. Mesa duket rruajtja e flokëve në këto ditë ka ndikim pozitiv në rritjen e flokëve më pas. Nëse është e vështirë për të gjetur një berber për të rruajtur kokën e fëmijës për shkak të lëvizjeve të shumta që bën në këtë periudhë dhe brisku mund të rrezikojë prerjen e kokës, atëherë personi mund të mjaftohet me dhëniën e sadeka sa pesha e flokëve në argjend duke e përcaktuar peshën e tyre me afërsi.
2- Lejohet që për dy delet e djalit të bëhet Akika për njërën në një kohë të caktuar dhe tjerën pas një muaji, sepse nuk është kusht që të dyja delet të bëhen Akika në të njëjtën kohë. Gjithashtu lejohet që njëra të theret në një vend dhe tjetra në një vend tjetër.
3- Akika nuk vlen për disa përsona menjëherë. Kështu delja nuk vlen për dy foshnje, as lopa nuk vlen për dy vetë, as për tre dhe as për katër.
4- Nëse rast se vdes babai i foshnjes, nëna kryen detyrën e tij me zevendësim.
5- Akika duhet të bëhet nga bagëtitë. Kështu ajo nuk vlen nëse behet me një kalë.
Përktheu: hoxhë Genc Plumbi
[ad_2]
Burimi