Pyetja:

Cilin model duhet ndjekur rinia?

***

Përgjigjja:

Periudha e rinisë mes fazave të jetës është më e bukura. Është periudha e ndryshimeve drastike dhe joshjes. Është periudha e emocioneve dhe shpresave, vitalitetit dhe aspiratave. Është periudha e fuqisë mes dy dobësive. Allahu thotë në Kuran: “Allahu është Ai që ju ka krijuar juve të dobët, pastaj pas dobësisë ju ka bërë të fuqishëm, e pas fuqisë ju bën të dobët e të thinjur.” (Rum: 54)
Periudha e rinisë është periudha e gjallërisë, periudha e shpresës; shpresë që të gjithë ne kemi se rinia do ta ndryshojë realitetin e shoqërisë sonë, sepse rinia është e ardhmja. Rinia është periudha më e përzgjedhur e jetës, për këtë arsye, megjithëse njeriu do të japë llogari për jetën e tij Ditën e Gjykimit, do të pyetet për rininë posaçërisht. Profeti Muhamed ﷺ thotë: “Njeriu nuk do të lëvizë nga toka e ringjalljes derisa të pyetet për katër gjëra; për jetën ku e ka kaluar, rininë ku e ka harxhuar, diturinë çfarë ka bërë me të dhe pasurinë si e ka fituar dhe ku e ka shpenzuar.” [1]
Meqë çfarë posedojmë është dhuratë prej Zotit, duhet të përkujdesemi për to dhe të jemi amanetli. “ …çdo mirësi që keni, është nga Allahu.” (Nahl: 53)
Kurani famëlartë sjell shëmbuj tepër frymëzues për rininë, modele që çdo i ri duhet t’i konsiderojë ideal të jetës, për të cilat duhet të jetë krenarë.

Rinia duhet të frymëzohet nga historitë e përmendura në Kuran, dhe një prej tyre padyshim që është edhe historia e djelmoshave të cilët refuzuan sjelljen e shoqërisë së tyre. Edhe pse qenë shumë të rinj ata nuk u përkulën para askujt përveç Allahut, që lëshoi dritën e besimit në zemrat e tyre. “Ata ishin djelmosha që besuan në Zotin e tyre dhe Ne ia shtuam udhëzimin.” (Kehf: 13)
Ata sapo njohën të vërtetën nuk bën kompromis me të pavërtetën, por e refuzuan menjëherë atë duke sfiduar besimin e gabuar të shoqërisë së tyre. “Ne i forcuam zemrat e tyre, kur u ngritën e thanë: “Zoti ynë është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Ne nuk do t’i lutemi asnjë zoti tjetër, përveç Tij, sepse atëherë do të thoshim një gënjeshtër të madhe.” (Kehf: 14)
Menjëherë pas këtij pohimi vjen edhe denoncimi i sjelljes së gabuar të shoqërisë. “Populli ynë ka zgjedhur në vend të Tij zota të tjerë, ndonëse ata nuk u sjellin dot asnjë provë të qartë. E kush është keqbërës më i madh, se ai që trillon gënjeshtra për Allahun?” (Kehf: 15)

Por historitë e kuranit nuk përfundojnë këtu, ato veç sa kanë filluar. Një tjetër histori frymëzuese është ajo e Ibrahimit paqja qoftë mbi të,që konsiderohet simbol i monoteizmit. Aty tregohet se si një djalosh i ri pa përkrahje por që njihet me të vërtetën, ndryshon konceptin e mbrapshtë të shoqërisë në marrëdhënie me Zotin. Ibrahimi qe një djalosh i sjellshëm dhe i edukuar, por sapo u njoh me të vërtetën nuk bëri pakt me të pavërtetën por e denoncoi atë, duke marrë parasysh parasegjithash edhe pasojat e këtij qëndrimi. Dashuria dhe sjellja e shkëlqyer e djaloshit me të atin, nuk e ndaloi atë ta sfidojë këtë të fundit dhe parinë e tij për besimin e gabuar që kishin zgjedhur. E gjithë kjo histori zhvillohet në kohën që Ibrahimi qe thjesht një djalosh i ri, pa përkrahje, pa mbështetje, por i frymëzuar nga e vërteta dhe me të vërtetën në gjoks. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Në të vërtetë, Ne e udhëzuam Ibrahimin në rrugë të drejtë qysh më parë dhe e njihnim atë (se ishte i aftë për këtë gjë). Kur ai i tha të atit dhe popullit të tij: “Ç’janë këta idhuj, që ju po i adhuroni kaq shumë?”, ata thanë: “Baballarët tanë i adhuronin këta.” (Ibrahimi) tha: “Me të vërtetë, ju dhe baballarët tuaj keni qenë në humbje të qartë.” Ata thanë: “A po na sjell të Vërtetën apo je nga ata që tallen?” Ai tha: “Jo, por Zoti juaj është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Është Ai që i ka krijuar ato, ndërsa unë jam njëri prej atyre që e dëshmojnë këtë.” (Enbija: 5156)
Meqë nuk ia dolën dot të përballen me fakte u shmangën dhe i injoruan fjalët e tij, por Ibrahimi nuk hoqi dorë, “Dhe i bëri ata copa-copa, përveç idhullit të tyre më të madh, kështu që ata t’i drejtoheshin atij. Disa thanë: “Kush i bëri kështu zotat tanë? Me të vërtetë, ai është keqbërës!” Të tjerët u përgjigjën: “Dëgjuam një djalosh që i përgojonte, quhej Ibrahim.” Atëherë silleni atë para syve të botës, që ata të dëshmojnë – thanë ata. Ata e pyetën: “Ti i bëre kështu zotat tanë, o Ibrahim?” Ai tha: “Jo! Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre. Pyesni ata, nëse flasin!” Atëherë ata i thirrën mendjes dhe i thanë njëri-tjetrit: “Me të vërtetë, ju vetë jeni keqbërësit.” Pastaj ulën kokat dhe i thanë: “Sigurisht që ti e di, se këta nuk flasin!” Ai u tha: “Mos vallë, ju adhuroni në vend të Allahut gjëra që nuk mund t’ju sjelljn kurrfarë dobie e as dëmi?! Mjerë ju dhe mjerë ata që ju i adhuroni në vend të Allahut! A nuk arsyetoni?!” (Enbija: 5867)

Një tjetër histori frymëzimi e përmendur në Kuran është ajo e Jusufit paqja qoftë mbi të, djalit të përkëdhelur të Jakubit. Historia e Jusufit duhet të jetë shembull për çdo të ri, në përballje me joshjen që ofron shoqëria. Jusufi paraqitet si modeli i djaloshit të edukuar me besim dhe moral, i cili përballë joshjes femërore duron dhe refuzon jo vetëm të ndyjë moralin e tij por edhe të shkelë ne besë zotërinë që e respektoi dhe nderoi në kështjellën e tij. Jusufi është modeli i djaloshit durimtar përballë ndryshimeve të jetës. Përfytyro për një çast! Je përballë një femre të bukur, joshëse, me prestigj dhe autoritet (sepse pushtetarët përgjithësisht zgjedhin gratë më të pashme, më të bukura dhe hijshme), e cila të fton për imoralitet, duke pasur parasysh parasegjithash se para kësaj ajo ka marrë të gjitha masat që askush të mos guxojë të futet në dhomën ku gjendeni ju të dy?! Sigurisht që është një sprovë e fortë, prova e zjarrit nëse mund ta quaj kështu. Në fakt, para një fakti të tillë Jusufi paqja qoftë mbi të,u gjend, por ai nuk vrapoi drejt saj, përkundrazi ajo vrapoi drej tij. “Ajo nisi ta joshë, ia mbylli të gjitha dyert dhe tha: “Jam e gatshme për ty!” Kurse ai tha: “Allahu më ruajt! Me të vërtetë, Zoti im ka treguar kujdes për mua dhe, pa dyshim, keqbërësit nuk do të shpëtojnë kurrë.” (Jusuf: 23)
Jusufi e refuzoi një mëkat të tillë me gjithë mundësinë që një rast të tillë mund ta shfrytëzonte për të përfituar nga privilegjet që do t’i ofronte gruaja e kryeministrit. Por ai nuk do të kujtohej kurrë si simbol i nderit, vetëpërmbajtjes dhe mposhtjes së epshit. Ai e refuzoi një sjellje të tillë duke marrë parasysh edhe pasojat e këtij vendimi. Ajo tha: “Jam përpjekur ta josh, por ai është ruajtur nga gjynahu. Por, nëse ai nuk bën atë që e urdhëroj unë, me siguri që do të burgoset dhe do të poshtërohet.” (Jusuf: 32)
Pra, si fillim e joshi duke përdorur autoritetin, garancinë dhe privilegjet që mund t’i ofronte atij. Dhe duke qenë se Jusufi ishte në lule të rinisë dhe i pamartuar, i huaj dhe pa përkrahje, do të duhej t’i përgjigjej kërkesës së saj. Por pasi refuzoi të ndyhej në mëkat, përpjekjet e saj intensifikohen, kështu ajo kalon në fazën e dytë, atë të kërcënimit.
Mesa duket historia përsërit vetveten, siç edhe thuhet. Pra, kjo është natyra e shoqërisë, e cila nëse përmes joshjes nuk arrin dot të të implikojë dhe përfshijë në zullum, shthurje dhe degradim, e përshkallëzon marrëdhënien e saj duke kaluar në fazën e dytë, atë të kërcënimit.
Por Jusufi nuk u dorëzua gjithsesi. Sepse për të nderi dhe të qenurit parimor vlenin më shumë se të gjitha joshjet dhe ofertat e saj. “Ai tha: “O Zoti im, më shumë e dua burgun se atë ku më shtyjnë ato. Nëse Ti nuk e largon prej meje dredhinë e tyre, unë do të prirem drejt atyre dhe do të bëhem nga të paditurit.” (Jusuf: 33)
Sepse ky qe shqetësimi i Jusufit, mendimi i Zotit për të. Marrëdhënia e tij me Zotin. Dhe po qe se Zoti është i kënaqur, s’ka rëndësi çfarë mendojnë njerëzit. “Pastaj u ra ndërmend atyre, pasi i panë shenjat (e pafajësisë së Jusufit) që ta burgosin për një kohë (në mënyrë që ngjarja të mos përhapej në popull).” (Jusuf: 35)
Me sa duket shoqërinë e rëndon më shumë moralja sesa amoralja. E rëndon më shumë refuzimi i Jusufit të përlyhet në imoralitet, sesa vetë imoraliteti i shndërruar në sjellje standarde. Shoqërinë e rëndon më shumë mosimplikimi dhe mosjoshja e të drejtëve prej zullumit dhe zhvatjes, sesa vetë zullumi dhe zhvatja në të cilën janë zhytur. Historia e Jusufit na mëson pikërisht këtë të vërtetë të hidhur, por na frymëzon edhe sjelljen e tij fisnike dhe moralin e lartë, që kush nuk e ka nuk mund ta përvetësojë edhe sikur të posedojë të gjithë thesaret e universit.

Historia e Ibrahimit shërben si model dhe frymëzim i refuzimit të devijimit të shoqërisë në marrëdhënie me Zotin, ndërsa ajo e Jusufit si model dhe frymëzim i refuzimit të devijimit të shoqërisë në marrëdhënie me njëri-tjetrin.
Ata ishin djelmosha që besuan në Zotin e tyre dhe Ne ia shtuam udhëzimin.” (Kehf: 13)
Kjo është natyra e sjelljes së Zotit me këdo që ndjek udhëzimin e Tij. Por pyetja që më vjen tai natyrshëm, çfarë bën rinia jonë? Kush është modeli i tyre? Cila histori i frymëzon? Dua që rinia të zotohet se do ta ndihmojë fenë e vet. Do t’i përkushtohet shërbimit të fesë dhe shoqërisë. Dua që në vend të pasivitetit dhe mendjelehtësisë, të ndjejë se është pjesë e kësaj shoqërie dhe përgjegjëse për të para Zotit. Të marrë në dorë fatet e saj dhe përmirësojë devijimet në sjellje dhe marrëdhënie me Zotin.
Por për të arritur këto synime dhe për të realizuar këtë qëllim duhet:
-Ndjenja e krenarisë. Pra, të ndjehen krenarë për fenë që përfaqësojnë, dhe të mos fshihen pas besimit të tyre, por të mburren dhe jenë krenarë për të.
– Ndjenja e përgjegjësisë. Pra, të ndjehen përgjegjës para Zotit për gjëndjen e shoqërisë dhe besimin e tyre.
– Njohja e dijeve fetare dhe thellimi në to.
– Kuptimi i drejtë i islamit dhe të qenurit mesatar dhe i matur.
– Bindja se kjo është feja e vërtetë.
– Thellimi në dijet mondane në mënyrë që të njihen të vërtetat dhe pavërtetat e tyre.
– Pajisja me besim, si mundësia e vetme e refuzimit të joshjeve, dhe me durim si mundësi për përballjen me peripecitë.

Hoxhë Dorian Balliu, imam në Xhaminë e Pashës, Elbasan

——————————–

[1] Tirmidhiu, Taberani, Bejhekiu & Bezari