Pyetja:

Si duhet të bëjmë iftar nëse udhëtojmë me aeroplan, në bazë të takvimit apo të perëndimit të diellit?

***

Përgjigjja:

Koha e iftarit dhe e syfirit caktohet në bazë të fillimit dhe mbarimit të ditës. Kjo do të thotë se syfiri mbaron kur fillon dita, gjegjësisht kur vjen agimi i cili në arabisht quhet “el-fexhru es-sadik”, ndërkaq iftari e ka kohën kur perëndon dielli, që konsiderohet edhe mbarimi i ditës. Allahu i Madhërishëm ka thënë: ’’…hani e pinin derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje…’’ (Bekare: 187)
Fjalët e të Allahut: “..e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje…”, konsistojnë në iftarin pas perëndimit të diellit si dispozitë të sheriatit. Është transmetuar prej Omer ibn Hattabit se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Kur të vjen nata dhe të mbarojë dita, agjëruesi bën iftar (han)”. [1]
Në bazë të kësaj, janë përcaktuar edhe kohët e iftarit dhe imsakut në takvime.Mirëpo, nëse njeriu udhëton me aeroplan, dhe paraprakisht e ka parë në sa ora është iftari në vendin mbi të cilin do të fluturoj aeroplani në atë kohë, nuk mund të çel iftar në bazë të takvimit, nëse e sheh ende diellin, por duhet të pres që dielli të perëndoj. Nuk ka lidhje se me orë është iftari, pasi ai gjendet në një lartësi prej ku ende e sheh diellin, dhe për të, dielli ende nuk ka perënduar. Ai duhet të pret të perëndon dielli dhe të bazohet në parjen e perëndimit të diellit, e jo në takvim. Normalisht, kjo vlen për atë që agjëron edhe në udhëtim, përndryshe në udhëtim lejohet të mos agjërohet, edhe pse agjërimi preferohet nëse nuk ka vështirësi.

Çështjen e pozitave të njeriut dhe dallimit në parjen e diellit, e kanë diskutuar edhe dijetarët në kohët më të hershme. Ata kanë thënë se nëse banorët e një vendi e shohin se dielli ka perënduar, bëjnë iftar, por, nëse një person i atij vendi gjindet në një pozitë më të lartë se banorët tjerë, fjala vjen, gjendet në ndonjë kodër, dhe ende e sheh diellin, për të dielli ende nuk ka perënduar dhe ai nuk mund të bëj iftar bashk me banorët tjerë të atij vendi, por kur të sheh ai se për të dielli ka perënduar. Kjo, sepse në vendet më të larta, shihet më gjatë dielli se sa në vendet më të ulta.

Pra, kjo vlen edhe për rastin e udhëtarit me aeroplan.

Allahu e di më së miri.

Bashkim Aliu

—————————

[1] Buhariu dhe Muslimi