Pyetja:

A mund të na tregoni një biografi të shkurtër rreth Omerit?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Umeri: Lindi në vitin 40 para-hixhrik / 584 diellor dhe ndërroi jetë në vitin 23 hixhrik / 644 diellor; bën pjesë tek “Shtresa Nr. 1” e transmetuesve të Islamit dhe prej tij janë transmetuar 539 hadithe (transmetime profetike).

Emri i tij është (عُمَر بن الخَطَّاب بن نفيل القرشي), Umer Ibn El-Khatab Ibn Nufejl, Ebu Hafs, prej Kurejshëve dhe që në kohën para-islame konsiderohej prej krerëve e trimave të Kurejshëve mekas, të cilit i ishte besuar detyra si ambasador i tyre, pasi Umeri ishte besnik i tyre, urrente dhe kërcënonte sipas politikës së tyre.

Umeri është një prej Dhjetë të Përgëzuarve me Xhenet, kalifi (kryeqeveritari) i dytë prej Katër Kalifëve të Drejtë të Udhëzuar, i pari që u emërtuar me titullin Prijësi i Besimtarëve, guximtari, i paepuri dhe autori i çlirimeve të mëdha, drejtësia e të cilit shërben si model i gjykimit të pavarur e të paanshëm.

Umer Ibn El-Khatabi është pikërisht një nga dy Umerët për të cilët Profeti ﷺ, e luste Allahun që me islamizimin e njërit prej tyre ta përforconte Islamin. Ai e pranoi Islamin pesë vjet para Hixhretit (Emigrimit) Profetik (teksa e kishin pranuar Islamin rreth dyzet burra para tij), duke shërbyer kjo si një shtysë e fuqishme për spikatjen e Isamit. Ai konsiderohet prej të hershmëve në Islam, si dhe ishte prej dijetarëve e asketëve të shquar ndër sahabët (shokët e Profetit) dhe pjesëmarrës në gjithë betejat e epokës profetike. Umeri merrej me tregtinë që bëhej në Sham dhe Hixhaz (Jemen).

Atij iu dha besëlidhja për kryetar shteti në po atë ditë që ndërroi jetë Ebu Bekri (në vitin 13 Hixhri), falë marrëveshjes së mbarëvajtur nga Ebu Bekri. Në kohën e qeverisjes së tij (e cila zgjati 10 vite) u çlirua Shami, Iraku, Kudsi, Medaini, Egjipti dhe Gadishulli Arabik, saqë është thënë se, në periudhën e Umerit janë ngritur dymbëdhjetëmijë (12 000) podiume në shërbim të Islamit.

Ai është i pari që u vendosi arabëve Kalendarin Hixhri13, para të cilit ata referoheshin tek betejat dhe ngjarjet e mëdha të ndodhura. Ai themeloi Arkën e Ndihmës Financiare (Bankën Bamirëse) për muslimanët si dhe urdhëroi ndërtimin e Basras dhe Kufës (dy kryeqendrat e hershme të Irakut), ndërtim i cili u bë realitet. Ai është i pari që vuri në funksion arkivat në Islam në përputhje me modelin persian, me qëllim që të mundësohej përllogaritja e saktë e punonjësve të shtetit dhe të bëhej shpërndarja e rrogave të tyre. Umeri shkonte i vetëm nëpër tregje dhe gjykonte në kohë rekord konfliktet midis njerëzve. Punonjësve të tij u dërgoi shkresën zyrtare ku i orientonte me fjalët: “Kur të më shkruani, filloni me shqetësimet tuaja personale”.

Sa i përket paraqitjes së Umerit, ai ishte i bardhë në të fildishtë, spikaste ndër njerëz me gjatësinë e tij të madhe, kishte mjekër të dendur të cilën e bënte me këna dhe flokët i kishte të rralla në të dy anët e ballit. Umeri u vra pabesisht nga Ebu Lulue Fejruz persiani (skllavi i Mugira Ibn Shu’ëbes), duke u qëlluar në bel me hanxhar (të helmatisur) teksa po falte sabahun dhe pas kësaj jetoi vetëm tre netë.

Allahu qoftë i kënaqur me Umerin!

Allahu e di më mirë.

Dr. Bashkim Aliu