Pyetja:

Biografi e shkurtër rreth Othmanit (Allahu qoftë i kënaqur me të)

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Othmani (Allahu qoftë i kënaqur me të): Lindi në vitin 47 para-hixhrik / 577 diellor dhe ndërroi jetë në vitin 35 hixhrik / 656 diellor; bën pjesë tek “Shtresa Nr. 1” e transmetuesve të Islamit dhe prej tij janë transmetuar 146 hadithe (transmetime profetike).

Emri i tij është (عُثْمَانَ بْنِ عَفَّانَ بْنِ أَبِي الْعَاصِ بْنِ أُميَّة) Othman Ibn Affan Ibn Ebi El-A’si Ibn Umeje, Ebu Abdullah, prej Kurejshëve umevit (të fisit Benu Umeje), Prijësi i Besimtarëve, kalifi (kryeqeverisësi) i tretë prej Katër Kalifëve të Drejtë të Udhëzuar që u zgjodh si i tillë me konsultën dhe pajtimin e muslimanëve në përgjithëse dhe elitarëve prej tyre në veçanti, pasi Umer Ibn El-Khatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ra dëshmor (shehid), një prej Dhjetë të Përgëzuarve me Xhenet, nga të parët që ka pranuar Islamin (hyri në Islam me ftesën e Ebu Bekrit, pak pas zbritjes së Shpalljes, teksa para tij e kishin pranuar Islamin nga meshkujt vetëm Ebu Bekri, Aliu dhe Zejd Ibn Harithe), është emigruesi i parë që emigroi në Rrugë të Allahut me familjen e tij, duke i përjetuar të dy emigrimet, atë në Abisini (Etiopia e sotme) dhe atë në Medine, lexues i zellshëm i Kuranit (e gjallonte natën me namaz nate në të cilin e lexonte gjithë Kuranin).

Ai shquhej për butësinë dhe oratorinë e tij, ishte me karakter shumë të lartë dhe shumë i turpshëm (saqë prej tij turpëroheshin edhe vetë engjëjt), ishte dijetar në çështjet e fesë islame, agjëronte vërtet shumë dhe ishte njëri prej Gjashtëshes Këshillimore që caktoi Umeri për Kalifin (Kryeqeveritarin e Shtetit Islam), duke bërë me dije se Profeti ﷺ kishte ndërruar jetë duke qenë i kënaqur me ata të gjashtë.

Është quajtur “Dhu En-Nurejni / Njeriu i Dy Dritave” pasi ka qenë i martuar me dy nga vajzat e Profetit ﷺ, fillimisht me Rukajen (qysh para Shpalljes) dhe pasi ajo ndërroi jetë (në netët e Betejës së Bedrit) u martua me Umu Kulthumin (që ndërroi jetë tek ai në vitin 9 hixhrik) dhe nuk dihet që dikush tjetër veç tij të jetë martuar me dy vajza Profeti).

Sa i përket paraqitjes Othmani (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i ngjante profetit Muhamed ﷺ dhe profetit Ibrahim (Paqja qoftë mbi të dy!), ishte shtatmesatar, fytyrëbukur, me gojë e dhëmbë shumë të pashëm, me ngjyrë të bardhë paksa në të kuqe, mjekërdendur, shpatullgjerë, duargjatë, me kërcinj të shëndoshë dhe flokë kaçurrele deri në supe paksa të rëna sipër ballit.

Othmani i udhëhoqi muslimanët për dymbëdhjetë vite, në gjashtë të parët e të cilëve qeverisja e tij lulëzoi dhe nuk u prek nga trazirat, ndërsa në fundin e gjashtë të dytave erdhi edhe rënia dëshmor (shehid) në Medine e Othmanit, si pasojë e trazirave që u nxitën kryesish prej faktit se në këto vite Uthmani përdori si strategji në qeverisjen e tij mbështetjen tek familjarët dhe të afërmit e tij (të fisit Benu Umeje), të cilëve u dha funksione e punë shtetërore, si dhe u dha (në respekt të lidhjes së gjakut) sasi të mëdha prej të ardhurave shtetërore që i takonin atij si kryeqeveritar.

Allahu qoftë i kënaqur me Uthmanin!

Allahu e di më mirë.

Dr. Bashkim Aliu