Mbajtja e lidhjeve me kunetërit

160. I nderuar hoxhë! Jam një motër muslimane e mbuluar. Burri më ka vdekur para disa vitesh. Gjatë jetës bashkëshortore kemi pasur probleme me kunetërit. Dhe tani pas vdekjes së burrit, a kam të drejtë t’i  ndërpres lidhjet me ta?

Përgjigjja: Dijetarët islamë kanë disa mendime rreth përkufizimit se kush konsiderohen nga farefisi që obligohet mbajtja e lidhjeve farefisnore. Disa prej këtyre përkufizimeve janë:

1. Farefisi janë ata me të cilët ndalohet martesa.

2. Farefisi janë ata me të cilët ndodh trashëgimia.

3. Farefisi janë të gjithë ata që kanë prejardhje nga gjaku, pa marrë parasysh a arrihet trashëgimia apo jo.

Të afërmit e burrit nuk konsiderohen për gruan farefis që obligohet mbajtja e lidhjeve me ta, po ashtu edhe të afërmit e gruas nuk konsiderohen për burrin farefis që obligohet mbajtja e lidhjeve. Rrjedhimisht, ju nuk obligoheni t’i mbani lidhjet me kunetërit tuaj, por ju nuk keni të drejtë t’i ndaloni fëmijët nga lidhja me ta ngase fëmijët obligohen t’i mbajnë lidhjet farefisnore me xhaxhallarët e tyre.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi