Pyetje: Nëse mund të më përgjigjeni do të doja të dija numrin e saktë të pejgambëreve sepse ne librat islam kam hasur ne numra te ndryshëm si 25, 28, 12 etj. Në botimin e librit „Drita e zemrës dhe Jasini“ përmenden 28 pejgamberë ku tre prej tyre kanë emrat Uzejr, Llukman dhe Dhulkarnejn. Ju kisha lutur të më spjegoni se kush kanë qenë dhe a kane qenë te dërguarë të Zotit. Poashtu do të doja të dija a ka qenë Ademi a.s. i dërguari i parë i Zotit apo vetëm njeriu i parë?

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahu alejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Së pari: Pejgamberët të cilët i ka dërguar Allahu në tokë, udhërrëfyes për njerëzimin janë shumë. Për disa prej tyre Allahu na ka treguar në Kur’an e për disa jo. Thotë Allahu (azzevexhel): “Dhe (dërguam) të Dërguar më parë që të rrëfyem për ta, dhe të Dërguar të tjerë për të cilët nuk të kemi rrëfyer“. (Nisa‘ – 164) Kështuqë përveç pejgamberëve që janë përmendur në Kur’an, ka pasur edhe shumë pejgamberë të tjerë që nuk janë përmendur emrat e tyre.

Së dyti: Pejgamberët e përmendur në Kur’an janë njëzet e pesë. Thotë Ibn Kethiri: Pejgamberët të cilët janë të përmendur me emër në Kur’an janë njëzet e pesë. Emrat e tyre  janë: Adem, Idris, Nuh, Hud, Salih, Ibrahim, Lut, Ismail, Is’hak, Ja’kub, Jusuf, Ejub, Dhulkifël, Shuajb, Musa, Harun, Junus, Davud, Sulejman, Iljas, Eljesa‘, Zekerija, Jahja, Isa  dhe Muhamed (salallahualejhiveselem). (Tefsir Ibn Kethir 2/469)

Së treti: Sa i përket Uzejrit, Lukmanit dhe Dhulkarnejnit, dijetarët kanë ndryshuar mendimet e tyre, nëse ata kanë qenë pejgamberë apo jo. Për atë edhe shumë prej tyre, nuk i kanë futuar në mesin pejgamberëve që janë përmendur në Kur’an.

Së katërti: Nëse keni lexuar diku se pejgamberët e përmendur në Kur’an janë dymbëdhjetë, kjo është një gabim i madh i shkruesit apo përkthyesit të atij libri. Ngase nëpërmjet kësaj mohohen shumë pejgamberë që janë të përmendur në Kur’an. E që mohimi i tyre me dije, e nxjerrë njeriun prej Islami. Së pesti: Është e vërtetë se Resuli i parë është Nuhu (alejhiselam). Ndërsa Ademi (alejhiselam) është Pejgamber Nebij dhe jo Resul. Ngase: Resul është ai pejgamber që ka ardhur me Sheriat të ri, ndërsa Nebij është ai pejgamber që ka vazhduar Sheriatin e atij që ka qenë më herët. Apo: Resul është ai pejgamber që ka pasur libër, ndërsa Nebij është ai pejgamber që nuk i është zbritur libër. Në lidhje me këtë, dëgjoni ligjeratën: Besimi në pejgamberët.

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami