Pyetja:
A është mëkat mbajtja e bilbilave në kafaz?
***
Përgjigjja:
Mbajtja e bilbilit në kafaz për të luajtur me të, për ta dëgjuar zërin e tij etj., është e urryer, mekruh, apo e papëlqyer për disa arsye:
– Nuk ka nevojë muslimani për një gjë të tillë, sepse nuk ka mbetur freskia, kënaqësia e relaksimi në shikimin dhe dëgjimin e zërit të shpendit të burgosur.
– Një gjë e tillë për zogun është burg, privim nga liria, e kjo në vetvete është torturë. Mbyllja e tij në kafaz mund të jetë ndoshta torturë më e madhe për të sesa tortura e burgosjes së njeriut, ngase edhe shpendi ka emocione dhe ndjenja, ai di të gëzohet e të mërzitet.
– Zëri i tij i bukur ku ta dimë ne se nuk është shenjë e ankimit tek Zoti i tij, që ia kemi privuar lirinë. Sa e sa shtazë ankohen me zërin dhe gjuhën e tyre tek Zoti për pronarin e tyre, ndërsa pronari qesh dhe relaksohet me të.
Kështu mendojnë shumë dijetarë të hanefive si Ibën Abedini, dhe ky është mendimi i njohur edhe tek malikitë, siç e cek Hattabi në Mevahib el-Xhelil, pastaj edhe i disa hanbelive si Ibën Muflih, pastaj Ibën Kajjimi dhe të tjerë deri tek disa dijetarë të mëvonshëm apo bashkëkohorë.
Në anën tjetër gjejmë shumë dijetarë të cilët e kanë lejuar një gjë të tillë, madje të këtij mendimi janë shumica e dijetarëve, duke u bazuar në hadithin që transmeton Buhariu dhe Muslimi se: “Enes bin Maliku ka pasur një vëlla për nga nëna, të cilit i kanë thënë: Ebu Umejr. Ky Ebu Umejri ka pasur një zog që luante me të, ai zogu quhej Nugejr. E kur i ngordhi zogu, Ebu Umejri i vogël u mërzit. Pejgamberi ﷺ deshi ta relaksojë pak atë, e i tha: “O Ebu Umejr, po çfarë bëri Nugejri?” [1]
Disa dijetarë kanë thënë, ndër ta edhe Ibën Haxheri, komentuesi i Sahih Buhariut, se me këtë hadith argumentohet se lejohet mbajtja e zogut në kafaz sepse Pejgamberi ﷺ nuk e qortoi atë vogëlush që kishte luajtur me zog. Natyrisht nëse nuk e torturon dhe nuk e keqtrajton, por i jep për të ngrënë e për të pirë, vetëm se e mban në kafaz.
Mirëpo mendoj se një analogji e tillë nuk është me vend për disa arsye:
– Të luajturit e fëmijës me të është përkohësisht, ta zëmë një pjesë dite. Ndërsa të mbajturit në kafaz është përjetësisht, prandaj ka dallim të madh mes kësaj dhe asaj. Këtë përgjigje e ka cekur edhe Hattabi i malikive.
– Nuk është cekur fare në hadith çështja e mbajtjes në kafaz, por vetëm të luajturit me të, pastaj prej fëmijës e jo prej të rriturit.
– Sipas të gjitha gjasave, zogu me të cilin ka luajtur ai fëmijë nuk ka qenë as i lidhur, e lëre më në kafaz, por ka qenë i butë, sikurse sot në disa vende të botës disa shpendë si pëllumbat e të tjerë rrinë dhe luajnë me njerëz, shoqërohen me ta, por ata janë të lirë të shkojnë ku të duan, fluturojnë, kthehen, e kështu me radhë. Ndërsa ky i gjori në kafaz nuk ka nga t’ia mbajë sepse është burgosur.
Mirëpo duhet të theksojmë edhe diçka. Sot zogjtë e tillë, të cilët janë mësuar të jetojnë në kafaz, po t’i lëshosh të lirë, me gjasë ngordhin sepse nuk dinë të fluturojnë. Këta ndoshta është më pak e urryer t’i mbash në kafaz në shtëpi.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
——————–
[1] Buhariu, nr. 6203; Muslimi, nr. (2150) 30.