Pyetja:
Pyetja ime ka të bëjë me një ndeshje komunikacioni. Mua më goditi njëri veturën me veturën e tij, dhe ma dëmtoi mjaft veturën. Sigurimi caktoi sa të ma paguaj, dhe unë u mora vesh me mjeshtrin që të mos e ndreq, por t’i merr pjesët e mira, dhe ta hudh tjetrën, sepse ishte shumë e dëmtuar, ndërkaq me ato para, normalisht duke shtuar edhe pak të blej një tjetër. A është ky veprim i drejtë, se dikush më tha patjetër ta riparosh veturën, se paratë i ke marrë për atë qëllim?
***
Përgjigjja:
Për çështjen e sigurimeve, janë zhvilluar polemika të mëdha në mes dijetarëve bashkëkohor islamë, por e zgjidhje tjetër nuk kemi, prandaj jemi të detyruar të veprojmë ashtu siç na imponohet, dhe kjo pyetje nuk ka të bëjë me legjitimitetin e sigurimeve komerciale.
Për sa i përket pranimit të kompensimit, ky është i lejuar të merret sepse pala tjetër të ka bërë dëm dhe këtë dëm duhet ta mbulojë. Mirëpo, në vlerësim duhet të jemi korrekt, pra të caktohet sa është realisht dëmi e jo të shkruhet më tepër, sespe kjo nuk është e lejuar.
Problemi që e përmendët ju, ndoshta mund të jetë i pa kuptueshëm për shumë, për këtë edhe të thotë dikush se nuk bën të veprohet kështu.
Mjetet të cilat i ke marrë ti, janë kompenzim për dëmin që të është bërë, dhe këto janë paratë tua, do të thotë ti manipulon me ato si të duash. Nëse ke llogari, mund ta ndreqësh veturën, e nëse jo, atëherë mund me ato pare të blesh tjetër, apo të shtosh edhe pak dhe të blesh një tjetër veturë më të re apo më të mirë. Nuk është asnjë problem pse e ke lënë pa ndreq veturën me të cilën ke bërë ndeshje, sepse kjo ka të bëjë me vullnetin tënd. Ti nëse do, mund të mos blesh fare veturë dhe këto para t’i përdorish për nevoja tjera. Pra, nuk është patjetër të destinohen për riparimin e demit përkatës. Për këtë, fjalët që i ke dëgjuar, nuk janë të qëndrueshme sipas sheriatit.
Bile, nëse e ndreq, dhe mjeshtri ta ndreq ma lirë se sa kushton realisht dhe sa ke marr ti mjete, në shenjë mirësie ndaj teje, ti e ke hallall t’i përdorësh mjetet tjera që të mbeten si të duash, e mos mendosh se pjesën e mbetur duhet ta kthesh.
Allahu e di më së miri.
Dr. Bashkim Ali