Përgjigje

Është shumë e rëndësishme, para përgjigjes në këtë pyetje, t’u rikthehemi hyrjeve, të cilat veçse janë përmendur në kapitullin e urtësisë së veprimeve të Allahut, sepse çdo pyetje që ndërlidhet me urtësinë e veprimeve të Krijuesit të lartësuar nuk shkëputet nga këto baza hyrëse, të cilat veçse ka paraprirë argumentimi i tyre; e pas kësaj e përmbledhim përgjigjen në këto pika:

E para: Me të vërtetë, ekzistimi i universit dhe çfarë gjendet në të, që i shastis mendjet e i huton inteligjentët, e shfaq njeriun të paaftë që ta sfidojë krijimtarinë e Zotit në një nga krijesat më të vogla, prej krijesave që kanë shpirt, të cilën Allahu e ka sjellë në univers mizën sepse çdo gjë në këtë univers tregon për përsosmërinë e atij që e ka sjellë në ekzistencë, sipas këtij preciziteti e rregullsie.

E dyta: Cila nga dy opsionet është më e përsosur, pasi kemi parë tërë këtë rregullsi, precizitet, madhështi, opsioni i urtësisë pas kësaj ekzistence apo e rastësisë? S’do mend se prania e një urtësie e qëllimi është ajo e cila fle në mendjen e njeriut, për shkak të tërë kësaj rregullsie, preciziteti i ligjeve të mrekullueshme.

E treta: Mendja kërkon që ky qëllim e kjo urtësi të përkojë me përsosmërinë e Krijuesit të këtyre gjërave madhështore, të cilat na kanë dëftuar për madhështinë e Krijuesit të tyre, e për urtësinë e përsosmërinë e Tij të pafundme.

E katërta: Nga plotësia e përsosmërisë së Krijuesit të kësaj gjithësie dhe urtësisë së krijimit të krijesave është që këtyre krijesave t’ua bëjë të njohur Veten, me diçka që do të mbillte në zemrat e tyre një natyrë të lindur që do të ishte udhërrëfyese drejt Tij dhe atë që t’u shpallte atyre, në një mënyrë që do donte, të dhëna të detajuara, të cilat do t’i orientonin krijesat për qëllimin që i ka krijuar e për të cilin i ka vënë në jetë.

E pesta: Nuk imagjinohet që marrëdhënia ndërmjet këtyre krijesave të dobëta, të vogla me krijim të përsosur dhe Krijuesit të tyre madhështor, veçse të jetë një marrëdhënie përulje, falënderimi e lavdërimi, madhërimi; dhe kjo është të cilën e ka dashur Zoti nga krijesat e Tij, i lartësuar qoftë!

E nëse thuhet: “A nuk është Zoti i pa nevojë për ne e për adhurimin tonë?!” Përgjigja është: sigurisht se po, por ti a nuk je nevojtar për Të në çdo rast? Pyetje: Ç’lidhje ka kjo me atë? Atëherë përgjigjja është: sigurisht se ka, Ai të ka krijuar e furnizuar, jetën tënde e ka në dorë. Ai s’ka nevojë për ty, kurse ti je nevojtar për Të, dhe pikërisht adhurimi është përkthim real i natyrshëm i kësaj lidhjeje, rrjedhimisht nëse do të hiqje dorë prej adhurimit të Tij, do ta mohoje bamirësinë e Tij, e do të ishe mohues e kryeneç. Ai nuk të ka obliguar me diçka që ka nevojë, por të ka obliguar me diçka që e kërkon realisht natyra e kësaj lidhjeje midis teje dhe Atij. Këtë domethënie ka njoftimi i Tij se Ai është i pavarur nga të gjitha krijesat dhe njëkohësisht njoftimi, se Ai nuk është i kënaqur me mosbesimin e robërve të Tij. Pra, i pari është njoftim për përsosmërinë e Tij karshi mangësisë sate, ndërsa i dyti është njoftim për atë që rrjedhon nga fakti i përsosmërisë së Tij dhe mangësisë sate, pasi që ekzistenca jote plotësohet nga ekzistenca e Tij, e po që se refuzon të plotësohesh veçse me vetveten, me këtë rast do të kundërshtoje logjikën e mendjes dhe realitetin e pamohueshëm. Prandaj medoemos, për këtë kundërshtim të skajshëm në fodullëk e

papjekuri, duhet dënuar me një ndëshkim të përshtatshëm për të, nëse për këtë s’do të kishte kurrfarë dënimi, atëherë në këtë do të kishte lejim për përmbysjen më të shëmtuar të realitetit më madhështor në ekzistencë dhe, për rrjedhojë, do ishte lejim për zullumin më të madh, por drejtësia absolute e refuzon këtë, andaj mendo thellë domethënien e fjalës së Tij të lartësuar: “Sikur e vërteta t’i ndiqte dëshirat e tyre, kishin për t’u shkatërruar qiejt dhe toka dhe çka mes tyre” me kuptimin e fjalës së Tij të lartësuar: “A është më e udhës të ndiqet ai që udhëzon nga e vërteta apo ai që nuk udhëzon veçse nëse udhëzohet”, si dhe kuptimin e fjalës së Tij të lartësuar: “Nuk i kemi krijuar qiejt dhe Tokën dhe çka mes tyre veçse me të vërtetën” të shfaqet e vërteta nëse je nga ata që ua vënë veshin duke qenë i vëmendshëm.”!

Në fund: Le t’i analizojmë këto vargje nga kapitulli Enbija: “Ne nuk e kemi krijuar qiellin dhe Tokën e ç’gjendet në mes tyre, për të luajtur (pa qëllim). Sikur të donim argëtim, Ne do ta bënim me gjërat pranë Nesh (si engjëjt, hyrijet etj.), nëse do të bënim diçka të tillë. Por Ne e godasim të pavërtetën, me të vërtetën, e cila e shkatërron atë dhe ajo zhduket. Dhe, mjerë për ju, për atë që i vishni (Allahut!) Atij i përket gjithkush që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ata që janë tek Ai (engjëjt), nuk ngurrojnë për të adhuruar Atë e nuk ndiejnë lodhje, por e lavdërojnë (Atë) natën dhe ditën, paprerë. Vallë, a mos i kanë marrë zotat prej dheu, që të ishin në gjendje t’i ngjallnin të vdekurit? Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë, përveç Allahut, si qiejt, ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin. Qoftë i lavdëruar Allahu, Zoti i Fronit dhe i lartësuar mbi çka ia veshin Atij! Ai nuk mund të pyetet për atë që punon, kurse ata do të pyeten.” (Enbija, 16-23)

Burimi: ” Parzmore kundrejt dyshimeve bashkëhore” Dr. AHMED IBN JUSUF ES SEJID