Pyetja:

Cilat janë argumentet juridike islame me të cilat juristët muslimanë, e mbrojnë mendimin se ritualet festive si: grumbullimi, urimi, lodrimi etj.; hyjnë tek festat fetare?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Qëndrimi bazë i dijetarëve muslimanë të përmbajtur është se, ritualet festive të rregullta, që bartin veprime të tilla si: grumbullimi, urimi, lodrimi etj.; hyjnë tek festat fetare, kurse në mënyrë më të detajuar thuhet sa vijon:

Sipas juristëve muslimanë, rregulli normativ i festave të ngjyrimit fetar, si identifikues i festave bidat (jolegjitime) bazohet mbi faktin se koha dhe vendi nuk janë veçse dy rrethanorë të ngurtë (joveprorë), që nuk bën të madhërohen përveçse në rastet në të cilat i ka madhëruar sheriati (ligji islam); më konkretisht, këta juristë muslimanë, në festat jolegjitime (bidat) fusin sa vijon:

Së pari: Ritualet festive që përbëjnë ndjekje apo imitim të jobesimtarëve

Ritualet festive që përbëjnë ndjekje apo imitim të jobesimtarëve (jomuslimanëve) janë të tre formave vijuese: (e para) përngjasimi me ta në ritet e fesë së tyre, si përngjasimi me ta në festën e lindjes së Isait (Paqja qoftë mbi të!), ose përngjasimi me ta në veshjen e kryqit dhe madhërimin e tij, ose pjesëmarrja me ta në ritet e tyre fetare të faljeve, varrimeve apo dasmave dhe ngjashëm prej normave dhe riteve të tyre; (e dyta) përngjasimi me jobesimtarët (jomuslimanët) në çfarë është prej traditave të tyre të veçanta që përbëjnë karakteristikë dhe rit të veçantë të tyre, pra që i veçon ata prej të tjerëve veç tyre, si festimi i vitit të ri, festës së të dashuruarve, ose përngjasimi me ta në rrobat dhe stolitë e tyre të veçanta, në qethjen e tyre të veçantë dhe ngjashëm; dhe (e treta) përngjasimi me ta në haramet që ata bëjnë, si: ushqimet dhe pijet e tyre të ndaluara, veshjen e tyre të shthurur, raportet seksuale të ndaluara, shndërrimin e varrezave në faltore dhe ngjashëm; ashtu që të tre këto forma përngjasimi janë të ndaluara, duke qenë se përbëjnë krahasim / përngjasim me jobesimtarët.

Së dyti: Ritualet festive që përmbajnë akte jolegjitime (bidate / sajesa) që janë konkurrente (të krahasueshme / të përngjashme) me adhurimet e pastra islame

Por, përveç ritualeve festive që përbëjnë ndjekje apo imitim të jobesimtarëve (jomuslimanëve), prej tipareve që e bëjnë një ritual festiv të ndaluar (jolegjitim) sheriatikisht (në ligjin islam), janë edhe ritualet festive që bartin akte jolegjitime (bidate / sajesa) që janë konkurrente (të krahasueshme / të përngjashme) me adhurimet e pastra islame. Nëse dikush do pretendonte se nuk ka ndonjë problem të shpiket nga muslimanët një ditë e shënuar apo festë e re, nëse kjo nuk shoqërohet me qëllimin e përngjasimit me jobesimtarët ose me festat e tyre që ata bëjnë në krye të viteve të tyre, bazuar në rregullin normativ islam të spikatur në transmetimin autentik profetik “veprat varen tek qëllimet (nijetet)”, të tillit i thuhet se qëllimi (nijeti) në këtë rast nuk merret në konsideratë, bazuar në transmetimet profetike referente ndaluese.

Së treti: Tek festat jolegjitime hyjnë edhe kohërat e veçuara me madhërim dhe nderim (përkulje), të cilat nuk i ka veçuar ligji hyjnor islam

Tek ritualet festive të ndaluara për shkak se bartin akte rituale qartësisht fetare që bien ndesh me fenë islame ose akte të përngjashme me aktet rituale fetare joislame; (tek këto rituale festive të ndaluara) hyjnë parimisht edhe kohërat që veçohen me madhërim dhe nderim (përkulje), paçka se ligji hyjnor islam nuk i ka veçuar këto kohëra me të tillë gjë, pasi në këtë rast bihet ndesh me rregullin normativ që thotë se “nuk bën të veçohen (dedikohen) me madhërim dhe nderim, përveçse ato kohëra që i ka veçuar ligji hyjnor islam, si: ditët e dy festave vjetore islame (Bajrameve), dita e premte / xhuma etj.”

Dr. Bashkim Aliu