Pyetja:

Jam një vajzë në një familje të krishterë, mirëpo jeta më lidhi me një djalë musliman në vendin ku jetoj. Ky djali është i martuar dhe ka 2 fëmijë. Nga biseda që kam bërë me të rashë në dashuri. Po ashtu, dhe ai me mua. Mirëpo meqë ai ishte musliman nuk mund të rrinim të dashuruar dhe vendosem për martesë. Djali gjeti një hoxhë dhe dy dëshmitarë dhe ne u martuam fetarisht. Mirëpo martesa jonë është ilegale (e fshehtë) për dy arsye, sepse babai dhe familja ime nuk di gjë për këtë martesë, sepse ata janë jobesimtarë të krishterë. Dhe së dyti, as nusja e këtij djalit dhe prindërit e tij nuk dinë gjë për këtë martesë sepse kur e mori vesh nusja e tij se do martohej për herë të dytë desh vdiq nga stresi dhe ne e kemi lënë me fjalë që ta mbajmë të fshehur me qëllim që mos e dëmtojmë atë psikologjikisht. Unë takohem fshehtas me këtë djalin dhe bëjmë marrëdhënie seksuale. Gjatë lidhjes me këtë djalin unë nga e krishterë kam filluar të falem dhe të mësoj për fenë. Pyetja ime është kjo: A është e saktë martesa jonë, sepse ne nuk e kemi publikuar tek të gjithë njerëzit por vetëm tek disa. Prindërit e mi kristianë nuk dinë gjë për të dhe as familja e djalit nuk di gjë. Unë nuk jetoj në një shtëpi me djalin dhe të kem të njëjta të drejta siç ka gruaja tjetër. Meqë jetoj në Francë, dhe atje nuk lejohet poligamia, si më këshilloni? A mendoni se publikimi i martesës tek njerëzit është detyrë (vaxhib) apo lejohet dhe kjo formë? A është e saktë mënyra e martesës që kemi bërë ne me një hoxhë qe ka studiuar në vendet arabe në këtë formë?

***

Përgjigjja:

Akti i martesës i lidhur në këtë formë quhet i vlefshëm, por mospublikimi i lidhjes së martesës është haram. Pejgamberi alejhi selam thotë: “Publikojeni martesën!” Lidhja martesore nga lidhjet jashtëmartesore dallon nga publikimi. Kështu, mbajtja e lidhjes e fshehte është jo vetëm gjynah, por edhe e turpshme, sepse në një rast të tillë femrës mund t’i kërkohet dora për martesë, ndërsa për burrin mund të hidhen hije dyshimi kur shihet se shoqërohet me një femër të tillë. Atëherë, mbajtja e lidhjes të fshehtë është në kundërshtim me hadithin e sapopërmendur, kështu që është gjynah.

Për të shpëtuar nga ky gjynah ose duhet të publikoni martesën, duke mos e mbajtur atë të fshehtë ose duhet të ndaheni. Në thelb, martesa nga lidhjet e tjera dallon me publikimin, dhe për këtë arsye disa dijetarë janë të mendimit se publikimi zë dhe vendin e dy dëshmitarëve, sipas tyre nëse publikohet akti i martesës nuk ka nevoje për dëshmitarë, sepse dëshmitarë thirren thjeshtë për të dalluar këtë lidhje nga lidhjet e paligjshme dhe për efekt publikimi. Por, në fakt, prania e dëshmitarëve është kusht për vlefshmërinë e martesës, kurse publikimi sipas hadithit të mësipërm është thjeshtë një detyrë e saj. Publikimi mund të kryhet dhe thjeshtë duke mos lënë porosi që të mbahet akti i fshehtë. Kryesisht këto lloj martesash përfundojnë në ndarje dhe palët nuk njohin as detyrimet ndaj njëra-tjetrës, sepse një martesë të tillë  e kryen një njeri që nuk e ka fort frikë Allahun, dhe nuk ndjen ndonjë përgjegjësi të madhe. Përveç që kjo tregon një nivel shumë të ulët morali dhe burrnie.

Gjithsesi, si një besimtare e re që jeni, nuk keni ndonjë faj të madh, dhe e keni një derë të hapur për riparimin e kësaj gjendjeje.

Allahu jua rregulloftë punët!

Ismail Bardhoshi