Pyetja:

Cili është këndvështrimi juridik islam në lidhje me fatkeqësitë që u ndodhin njerëzve, si: tërmetet, përmbytjet, shtrëngatat, vërshimet etj., të cilat ndodh që të lënë edhe viktima?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

Tërmetet dhe dukuritë e tjera tokësore e qiellore përbëjnë fenomene që diktohen prej ligjeve të Zotit. Caktimi Hyjnor i ka nënshtruar këto dukuri në procesin e funksionimit të jetës në tokë. Ndërkaq, ato janë krijesa të Zotit të vëna prej Tij në funksion të: dënimit të njerëzve të këqij / të prishur, si mësim për njerëzit që shpëtojnë dhe si provë për besimtarët (i vdekuri gjatë tërmetit, ringjallet sipas besimit / mosbesimit që ka pasur në dynja).

Dijetarë të mëdhenj muslimanë bashkëkohorë të jurisprudencës islame por edhe shkencave gjeologjike dhe atyre humane, theksojnë njëzëri, në frymën e dijetarëve të hershëm muslimanë, se tërmetet (dhe katastrofat e ngjashme me to) janë prej ushtarëve të Allahut të Madhëruar, zemërim / ndëshkim i Tij dhe mesazh për njerëzimin, që ata të bëhen vetëkritikë, drejt mbrujtjes së një uni human të virtytshëm dhe të devotshëm, siç ka urdhëruar Krijuesi i këtij uni, pasi një unë i tillë shërben si mburojë prej tërmeteve.

Kurse më tej, e thënë në mënyrë të përmbledhur, urtësia se përse ndodhin tëmetet në raport me botën njerëzore, qëndron kryesisht në sa vijon:

Së pari: Shpalosja e mirësisë së madhe të fiksimit dhe prehjes së sipërfaqes (kores) së tokës me malet e palëvizshme, që duket qartë në momentet kur kjo prehje trazohet nga tërmetet; siç ka thënë Allahu i Madhëruar: “Allahu është Ai që jua ka bërë Tokën karar [të banoni në të në prehje].”

Së dyti: Disa njerëz naivë mendojnë se tërmetet janë dukuri natyrore që kanë shkaqe të pavarura nga veprimet e njerëzve dhe mëkatet e tyre, teksa e vërteta është se ato janë shenja apo sinjale frikësuese hyjnore për njerëzimin, që ata t’i kthehen virtytit dhe dovotshmërisë për të cilën i krijoi Zoti i tyre.

Së treti: Shpeshtimi i tërmeteve është prej shenjave të afrimit të Kijametit (Shkatërrimit të Universit), mbi të cilat na ka treguar Muhamedi (Paqja qoftë mbi të!) në transmetimin profetik: “Nuk ka për të ndodhur Kijameti derisa… të shpeshtohen tërmetet…”.

Së katërti: Tërmeti është argument apo shenjë befasuese, treguese mbi njëshmërinë dhe plotfuqishmërinë e Allahut të Lartmadhëruar, sesi krijesat e Tij përfshirë qeniet njerëzore janë nën pushtetin e Tij suprem dhe nën mëshirën e Tij; (tërmeti) është shpalosës i kontrollit hyjnor mbi çdo gjë, shprehur qartë tek të shpëtuarit / viktimat e tërmetit në rrethana të çuditshme.

Së pesti: Dukuria e tërmetit përbën frikësim prej Allahut e ftesë vetëdijësimi për robërit e Tij, urdhër për vetëkritikë; lum kush reflekton, kush kthesë nga të këqijat e mëkatet bën dhe kah fitimit të kënaqësisë së Zotit të tij nxiton.

Së gjashti: Tërmeti ndodh të jetë si zemërim dhe ndëshkim i drejtë i Allahut ndaj jobesimtarëve, siç i rrënoi Ai popujt e shkuar për arsye të mosbesimit të tyre dhe mospërfilljes së Mesazheve Hyjnore dhe Profetëve të Zotit të botërave; siç thotë Allahu i Lartësuar: “Ne të gjithë i dënuam për gjynahun e vet: disave u dërguam furtunë, disa syresh i goditi një zë i tmerrshëm, disa prej tyre i gëlltiti toka dhe të tjerët i përmbyti uji. Allahu nuk u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.

Së shtati: Tërmeti ndodh të jetë sprovë dhe vuajtje e kësobotshme për muslimanët, por që në palat e saj bart shpërblim, dëlirje, mëshirë dhe shpërblim për ta në botën tjetër; siç ka thënë Profeti (Paqja qoftë mbi të!): “Populli im [muslimanët në përgjithësi] janë një popull i mëshiruar [i falur më shumë se popujt e mëparshëm], nuk ka për të ndëshkim [vuajtje të rënda si të jobesimtarëve] në botën tjetër dhe ndëshkimi i tij [në masën më të madhe] është në këtë botë, me: sprova [sëmundje, luftëra etj.], tërmete dhe vrasje [të padrejtë që u bëhet atyre].”. Madje nga vdekja në rrënojat e tërmetit, besimtari/ja shpresohet të fitojë gradën e dëshmorit.

Së teti: Tërmeti është përkujtim dhe shenjë për ditën e Kijametit, Ditën e Tërmetit Madhështor.

– Kini kujdes, ruajuni o njerëz, ruajuni o muslimanë, nga mëkatet: mosfalja e namazit e idhujtaria, korrupsioni e padrejtësia, kamata, mashtrimi e pabesia, pijet alkoolike, bixhozi e kurvëria e nga mëkatet e tjera të mëdha, – Udhëzona o Allah e prej të penduarve e të udhëzuarve na bëj! Amin!

Allahu e di më mirë.

Dr. Bashkim Aliu